Ylli televiziv Kim Kardashian, ka zbuluar se ajo pagoi pjesën më të madhe të kostos për unazën e fejesës me ish-basketbollistin Kris Humphries, me të cilin ishte e martuar në vitin 2011. Martesa e tyre zgjati 72 ditë.
Gjatë episodit të fundit të “The Kardashians”, ylli ka treguar se ishte e detyruar ta dorëzonte unazën në procesin e divorcit, ka raportuar FemaleFirst.
“Nuk e mbajta unazën. Isha shtatzënë, ende e martuar me të dhe për t’u divorcuar, ai tha se duhej t’ia ktheja”, ka treguar Kardashian.
Megjithatë, ajo ka sqaruar se ishte vet ajo që kishte paguar shumicën e kostos së unazës, ndërsa Humphries ka kontribuar vetëm në një të pestën e shumës totale.
“Unaza ishte pasuri e Humphriesit, të cilën e mori nëpërmjet procesit të divorcit. Ai është shumë i kënaqur me rezultatin përfundimtar të shitjes”, pati thënë në atë kohë përfaqësuesi i tij për E News.
Gjatë emisionit, Kardashian ka folur edhe për një tjetër unazë fejese, të cilën e ka shpëtuar nga grabitja që i kishte ndodhur në Paris në vitin 2016 falë një paralajmërimi nga ish-burri i saj, reperi Kanye West.
Reperi në vitin 2013 i propozoi martesë fillimisht me një unazë 15-karatësh, ndërsa në vitin 2016 ai i dhuroi një unazë më të madhe, 20-karatësh, me vlerë rreth 4 milionë dollarë.
“Kanye më pa dhe më tha: ‘Mos i mbaj kurrë të dyja unazat njëkohësisht. Do të grabitesh?’” - ka kujtuar Kardashian paralajmërimin nga ish-burri.
Kur ajo kishte udhëtuar atë vit në Paris, la në shtëpi unazën e parë, por unaza 20-karatësh iu vodh pas një grabitjeje të armatosur në hotel.
Tani, ylli po planifikon t’ia dhurojë unazën e saj origjinale vajzës së saj North, e cila është 11 vjeçe.
“Do t’ia jap Northyt, sepse ajo ishte me mua kur u fejova. Ajo e mbajti në dorë pas propozimit dhe madje kemi edhe një foto ku ajo e prek unazën kur ishte vetëm disa muajshe”, ka thënë 44 vjeçja.