Ylli televiziv Khloe Kardashian, e cila është 40-vjeçare, ka thënë se po “lutet” që të gjejë dashuri sërish në dekadën e ardhshme.
Female First ka shkruar se ajo ka kaluar disa marrëdhënie të vështira, duke përfshirë martesën me sportistin Lamar Odom (2009-2016) dhe lidhjen me Tristan Thompson, me të cilin ka dy fëmijë, True, 6 vjeç, dhe Tatum, 2 vjeç. Megjithatë, Kardashian ka theksuar se do të dalë të paktën në një takim me dikë gjatë dekadës së ardhshme.
“Lutem. Nuk mund të jetë ende fundi për mua. Nuk po them se do të ndodhë ditën që mbush 40 vjeç, por në një moment gjatë kësaj dekade, mund t’ju premtoj se do të dal të paktën në një takim”, ka thënë ajo në episodin e ri të “The Kardashians”.
Pas përfundimit të marrëdhënies me Thompsonin, pas daljes së lajmit se ai kishte pasur një fëmijë me Maralee Nichols, Kardashian ka marrë mbështetje nga nëna e saj Kris dhe motra Kim.
“Kjo do të jetë dekada jote”, ka thënë Kris, ndërsa Kardashian i thotë se “e di, tashmë kam kërkuar të jetë”.
Ajo ka thënë se është shumë optimiste për të ardhmen dhe për jetën e saj personale, duke thënë se ndjehet shumë mirë me veten dhe është e gatshme të gjejë një partner me të cilin do të ndajë pjesën tjetër të jetës.
“Në kapitullin tim të ardhshëm, dua të gjej një partner të përhershëm. Dhe për ta bërë këtë, dua të heq gjithçka që nuk më shërben”, ka thënë tutje ajo.
Kardashian më parë kishte thënë që nuk kujdesej për mbarëvajtjen e takimeve të saj dhe se fokusohej gjithnjë te fëmijët.
“Nuk më intereson të takoj dikë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas disa vjetësh apo vitit të ardhshëm, por tani nuk jam duke takuar askënd, nuk më intereson. Fokusi im është te fëmijët. Por, mendoj se po të isha në një situatë tjetër, do të thosha: ‘Je duke folur budallallëqe’. Por tani e kuptoj dhe për mua, mendoj se është gjëja më e mençur!”, ka thënë ajo në podcastin e saj “Khloe Wonderland”.