Showbiz

Kevin Costner flet për rëndësinë e parkut nacional Yellowstone dhe qëllimin e dokumentarit

Kevin Costner

Kevin Costner

Foto: Associated Press

Aktori Kevin Costner, i njohur për rolin kryesor në serialin e suksesshëm “Yellowstone”, i cili ka përgatitur dokumentarin “Yellowstone to Yosemite”, ka thënë se historia e parkut legjendar kombëtar është ndërtuar mbi një “forcë të vullnetit”.

Në dokumentarin e tij “Yellowstone to Yosemite”, Costner flet për historinë dhe rëndësinë e këtyre parqeve, si dhe për njerëzit që kontribuuan në ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm.

“Ndërsa të gjithë ne i shijojmë këto parqe kombëtare që shfaqen në seritë ‘Yellowstone’, shumë rrallë e kuptojmë se si u krijuan ato. Dhe kur mendon për jetën, pyet veten: A do të bëjmë ndonjëherë një ndryshim? Unë e pyes veten për këtë. Të gjithë e bëjnë. Jemi miliarda njerëz në këtë planet. Çfarë mund të bëjmë? Por kjo është një histori që tregon se si burrat dhe gratë mund të bëjnë një ndryshim përmes forcës së vullnetit”, ka thënë ai në emisionin The Will Cain Show, ka raportuar FemaleFirst.

Costner i referohet Parkut Kombëtar Yellowstone dhe Parkut Kombëtar Yosemite në SHBA.

Yellowstone llogaritet se është parku i parë kombëtar në botë, i themeluar në vitin 1872, dhe shtrihet kryesisht në shtetin e Wyoming, me pjesë në Montana dhe Idaho. Ai është i njohur për gejzerët e tij, si Old Faithful, dhe për natyrën e egër me arinj grizli, ujqër, bizonë dhe drerë.
Gejzerët janë burime të nxehta natyrore që shpërthejnë duke nxjerrë ujë dhe avull në ajër. Ky fenomen ndodh kur uji i nëndheshëm ngrohet nga magma dhe arrin një pikë vlimi, duke krijuar presion që e shtyn atë lart me forcë.

Një nga gejzerët më të famshëm në botë është Old Faithful në Yellowstone, i cili shpërthen rregullisht çdo 60–90 minuta, duke hedhur ujë deri në 55 metra lartësi.
Gejzerët janë të rrallë dhe gjenden kryesisht në rajone me aktivitet vullkanik, si Yellowstone (SHBA), Islandë, Rusi e Zelandë të Re

Yosemite, i vendosur në Kaliforni, është një tjetër park i famshëm, i njohur për peizazhet spektakolare, shkëmbinjtë gjigantë si El Capitan dhe Half Dome, si dhe për ujëvarat mahnitëse si Yosemite Falls. 
Ky park është një nga më të vizituarit në Amerikë dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në lëvizjen për mbrojtjen e natyrës.

Aktori 70 vjeç Costner ka theksuar se nuk dëshiron t’ju imponojë njerëzve asgjë përmes dokumentarit, por thjesht po dëshiron t’i edukojë njerëzit mbi historinë e Amerikës.

“Jo për t’ua imponuar njerëzve, por për t’i edukuar. Amerika gjeti një mënyrë ku toka nuk përdorej vetëm për shfrytëzim, por bukuria e saj natyrore mund të kthehej në një formë tregtie, ku njerëzit do të vinin dhe do të mund të shihnin atë që panë kur ishin fëmijë, dhe fëmijët e tyre ta shihnin gjithashtu”, ka thënë ai.

I pyetur mbi atë që e tërheq drejt roleve që merr përsipër, Costner ka thënë se preferon skenarët që largohen nga koncepti i zakonshëm i “heroizmit” në filma.

“Më pëlqen ideja e heroizmit kur askush nuk po shikon. Kur je fëmijë apo një i ri dhe sheh diçka të tillë, e kupton. Heroizmi nuk është gjithmonë spektakolar”, ka thënë aktori.

Ai gjithashtu ka shtuar se hero mund të jetë një grua që mban tri vende pune.

“E sheh në orën katër të mëngjesit duke pritur autobusin, dhe kur kthehet në mbrëmje, e rraskapitur, gjen forcën për të përgatitur një vakt për fëmijët e saj”, ka thënë tutje Costner.

Ai ka shtuar se në filma, kjo gjë mund të tregohet duke i vendosur pak muzikë dhe papritur e kuptohet kush është vërtet i rëndësishëm, kush ka fuqi dhe kush është hero.

“Një hero për familjen e saj, që punon fort për t’u siguruar një jetë më të mirë fëmijëve të saj”, ka thënë ylli.
 

 

TRAILERI I SERIALIT: