Artisti nga Estonia, Tommy Cash, ka nxitur reagime me këngën me të cilën do ta përfaqësojë shtetin e tij në garën e këngës në Eurovision. “Espresso Macchiato” ka fjalë anglisht dhe italisht dhe përmban një sërë stereotipash italiane.
Kënga, që zgjatë më pak se tre minuta, ka nxitur polemika në Itali dhe tani “Codacons”, një shoqatë, ka bërë thirrje nga organizatorët e festivalit që ta largojnë atë, raportoi CNN.
“Codacons” e ka përshkruar këngën si “ofenduese” për paraqitjen e “stereotipave për Italinë dhe italianët, të lidhura me klishetë e zakonshme të kafesë dhe spagetit, por mbi të gjitha me mafinë dhe shfaqjen e luksit, dhe dërgon mesazhin e një populli të lidhur me krimin e organizuar”.
Thirrjen që kënga të largohet nga Eurovisioni e ka mbështetur e politikani Gian Marco Centinaio.
“Ky këngëtar duhet të vijë në Itali të shoh se si njerëzit e denjë punojnë, para se t’ia lejojë vetes të shkruajë këngë të tilla budallaqe dhe stereotipash”, ka thënë ai.
Edhe në rrjetet sociale ka pasur komente. Këngën e kanë quajtur të tmerrshme disa përdorues të rrjeteve.