Showbiz

Kendrick Lamar në “Super Bowl” shoqërohet nga SZA

Kendrick Lamar - SZA

Foto: Associated Press

Reperi i famshëm, Kendrick Lamar, në performancën e tij të shumëpritur në finalen e kampionatit të futbollit amerikan, “Super Bowl’, do të shoqërohet në skenë nga fituesja e shumëfishtë e çmimit “Grammy”, SZA.

Lamar dhe kompania ‘Apple Music’ e kanë lansuar një trailer ku reperi shihet duke ecur nëpër fushën e futbollit, para se SZA t’i afrohet nga mbrapa dhe ta spërkas me një kovë ujë.

SZA ka qenë njëra prej artisteve të menaxhuara nga labeli i Lamarit, “Top Dawg Entertainment”, që do të thotë ata kanë kohë që njihen dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në aspektin profesional. Këngëtarja shumë e suksesshme ka qenë pjesë e albumit të fundit të reperit, “GNX” në këngë të tilla si, “Gloria” dhe “Luther”.

Disa prej hiteve të mëparshme të kësaj dysheje janë, kënga e  nonimuar për “Oscar”, “All the Stars” dhe hiti “Doves in the Wind”.

Lamar dhe SZA po ashtu do të realizojnë turne së bashku gjatë pranverës dhe verës, në gjithsej 19 qytete të Amerikës Veriore. Turneu “The Grand National Tour” fillon më 19 prill me një koncert në Minneapolis dhe përmbyllet më 18 qershor në Washington, D.C.

Në ceremoninë e 2 shkurtit të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy”, SZA me hitin e saj “Saturn” garon në dy kategori, “Kënga më e mirë R&B” dhe “Performanca më e mirë R&B”. Gjatë karrierës ajo i ka fituar në total katër çmime “Grammy”.