Reperi Kanye West ka shkaktuar përsëri polemikë të madhe me veprimet e tij të fundit.
47-vjeçari, i cili u përjashtua nga rrjeti social X (ish-Twitter) për postime antisemitike dhe mizogjeniste, tani ka promovuar një bluzë të bardhë në webfaqen e brendit të tij të veshjeve “Yeezy”, me çmim 20 dollarë, e cila është etiketuar “HH-01”.
Billboard ka shkruar se sipas Ligës Anti-Diskriminimit (ADL), ky mbishkrim është kod për fjalët “Heil Hitler”, dhe bluza ka simbolin e njohur, svastikën, që lidhet ngushtë me Adolf Hitler dhe regjimin nazist.
ADL e ka dënuar fuqishëm këtë veprim të Westit, duke theksuar rëndësinë historike të svastikës, që “ishte simboli i miratuar nga Hitleri si emblema kryesore e nazistëve” dhe vazhdon të përçojë frikë dhe urrejtje ndaj hebrenjve dhe grupeve të tjera.
Ky incident vjen pas një serie veprimesh kontraverse nga West, përfshirë shpalljen e admirimit për Adolf Hitlerin dhe identifikimin si nazist.
Raperi ka humbur tashmë marrëdhëniet e bashkëpunimet me marka të njohura për shkak të deklaratave të ngjashme.
Në postimet e tij antisemite në X ai ka shkruar se “nuk do të kërkoj kurrë falje për komentet e mia kundër hebrenjve”.
Para se të deaktivizohej llogaria e tij në X, West ka zbuluar se bluza me svastikë nazizte ishte zhvilluar për disa vjet dhe e quajti atë “pjesën më të madhe të artit të tij deri tani”.
Përveç deklaratave antisemite, Kanye gjithashtu komentoi për gruan e tij, Bianca Censori.
“Ajo është me një miliarder, pse do të dëgjojë ndonjë nga ju idiotët e varfër”.
Ky koment i Westit erdhi pas një tjetër reagimi kritik lidhur me fustanin e saj të tejdukshëm në tepihun e kuq të ceremonisë së ndarjes se çmimeve “Grammy”, i cili nxiti reagime të shumta pasi ajo hoqi pallton, për ta ekspozuar trupin lakuriq.