Showbiz

Justin Baldoni padit “The New York Times”

Justin Baldoni

Justin Baldoni

Foto: Associated Press

Aktori, Justin Baldoni, ka paditur prestigjiozen “The New York Times” për shpifje dhe shkelje të privatësisë, duke kërkuar 250 milionë dollarë dëmshpërblim. 

Variety ka shkruar se padia ëshë ngritur pas një artikulli të botuar në dhjetor të vitit 2023, me titull “’We Can Bury Anyone’: Inside a Hollywood Smear Machine”, që akuzonte Baldonin për ngacmim seksual dhe sjellje të papranueshme gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”.

Baldoni dhe këshilltarët e tij për marrëdhënie me publikun, përfshirë  Melissa Nathan e Jennifer Abel, si dhe producentët Jamey Heath e Steve Sarawitz po e akuzojnë gazetën për manipulim të fakteve dhe përdorimin e një narrative të njëanshme, kryesisht duke u mbështetur në dëshmi të pabazuara nga aktorja e njohur Blake Lively dhe ekipi i saj. 

Sipas padisë, gazeta përdori mesazhe të cilat, thuhet se, ishin selektive dhe kishin mangësi në kontekst, duke e nxjerrë Baldonin si një person të keq.

Një nga akuzat kryesore në padi është se “mesazhet e Times ishin manipuluar që të mbështesnin një narrativë shpifëse”. 

Baldoni dhe paditësit tjerë e akuzojnë gazetën se e ka lënë jashtë një pjesë të rëndësishme të komunikimit që mund të kishte ndryshuar kuptimin e situatës.

Për më tepër, Baldoni dhe grupi i tij, në padi pretendojnë se gazeta e përdori historinë e Livelyt për të avancuar një narrativë të manipuluar, duke përfshirë akuzat për sjellje të papërshtatshme ndaj një videoje që Lively pretendonte se ishte pornografike, ndërsa Baldoni dhe të tjerët thonë se ishte një video personale pa asnjë kuptim seksual.

Padia është një përgjigje ndaj artikullit të “The New York Times”, që, sipas Baldonit, përdori një qëndrim të njëanshëm dhe të pabazuar në fakte.