Aktori i famshëm, Josh Hartnett, ka thënë se e ka lënë Hollywoodin pasi që mori vëmendje të madhe për shkak të famës, gjë që nuk i pëlqeu.
Menjëherë pasi luajti në filmin e regjisores Sofia Cappola, “The Virgin Suicides”, në vitin 1999, ai u bë i famshëm. Pastaj ai luajti në nëntë filma të tjerë, përfshirë “Pearl Harbor” dhe “Black Howk Down”.
“Vëmendja e njerëzve ndaj meje në atë kohë, ishte përtej kufirit, ishte e pashëndetshme”, ka thënë Heartnet në një intervistë ekskluzive për “The Guardian”.

Ai në mënyrë diskrete, e pati lënë Hollywoodin në kërkim të një jete më të qetë.
Ndërkohë që ishte shumë i famshëm, ylli ka refuzuar të luante në dy filma me super heronj.
“Kishte incidente. Me vinin në shtëpi njerëz që më përndiqnin. Një herë erdhi njëri me pistoletë duke pretenduar se ishte babai im. Ai përfundoi në burg. Kishte shumë gjëra. Ishte kohë e çuditshme, dhe nuk doja të ishte pjesë e një jete të tillë”, ka shpjeguar aktori.
Hartnett tani jeton në Britani ndërkohë që shpesh udhëton në SHBA.
Ai kishte filluar lidhjen me aktoren britanike Tamsin Egerton në vitin 2012, me të cilën u martuan në mënyrë sekrete në vitin 2021.

“Gjithçka është e re për mua. Nuk do ta prisja asnjëherë. Koha kalon shumë shpejt, me katër fëmijë, ke shumë gjëra për të bërë. Nuk po ndodhin gjëra të rëndomta, por të rëndësishme. Vajza ime e madhe është tetë vjeç e gjysmë tash, po mundohem të rri sa më shumë me të dhe familjen”, ka thënë tutje ai.
Hartnett nuk e braktisi asnjëherë dashurinë për aktrimin, por u largua nga syri i publikut, la Los Angelesin, shkoi në shtëpinë e tij në Minnesota dhe merret me projekte të vogla, por sfiduese.

“Nuk doja që jeta ime të përpihej nga puna. E shihje se kjo gjë po iu ndodhte shumë njerëzve atje, përfshiheshin nga puna, nga fama. Nuk e doja këtë gjë për vete”, ka thënë ndër të tjera ylli.