Showbiz

Duhamel reflekton mbi shkurorëzimin nga Fergie

Josh Duhamel

Josh Duhamel

Foto: Associated Press

Josh Duhamel është falënderues për mësimet që ka marrë nga martesa e tij me Fergien.

Aktori i njohur, Josh Duhamel, ka thënë se është ende “në proces” që prej ndarjes me këngëtaren, por këmbëngul se marrëdhënia mes tyre sot është “pa shumë konflikte”.

Aktori dhe ish-anëtarja e grupit muzikor “Black Eyed Peas” u ndanë në vitin 2019, pas dhjetë vjetësh martesë. Ata kanë një djalë së bashku, 11-vjeçarin Axl. Në një intervistë për revistën Parade, Duhamel ka theksuar se pavarësisht të kaluarës, marrëdhënia e tyre është e qëndrueshme dhe miqësore.

Në vitet e fundit, ylli i serialit “All My Children” është martuar me ish-Miss World America, Audra Mari, me të cilën ka një djalë 15-muajsh, Shepherd. Ata jetojnë në Minnesota, në një shtëpi që Duhamel e ka ndërtuar vetë, thellë në natyrë, larg qytetit.

“Të jesh baba në këtë moshë është ose një mënyrë për të qëndruar i ri, ose për t’u plakur shumë shpejt”, ka thënë ai me humor.

Ai ka treguar se një nga arsyet pse zgjodhi të ndërtojë shtëpinë në një zonë të largët është sepse “aty je i shkëputur nga gjithçka”.

“Dyqani më i afërt është 60 kilometra larg. Pasi shkojmë atje, gjithçka ka të bëjë me kujdesin për njëri-tjetrin, krijimin e kujtimeve, kohën me familjen dhe miqtë. Është një kthim te gjërat e thjeshta. Nuk je i zhytur në shpërqendrime të kota”, ka thënë aktori.

Sipas tij, kur është atje, çdo gjë ka të bëjë me argëtimin, me sigurinë që të gjithë po ndihen ngrohtë e kanë ushqim dhe ujë. 

“Të lidh me tokën. Ka diçka në këtë jetë që të mbush shpirtin”, ka thënë tutje ylli.

Duhamel ka thënë se e ka ndërtuar këtë vend jo vetëm për veten, por si trashëgimi për fëmijët. Ai tregon se është i vendosur që djali i madh të ketë kujtime të paharrueshme nga ky vend, larg teknologjisë.

“Djali im do ta mbajë mend këtë vend për gjithë jetën. Nuk është në iPad kur jemi atje. Është në varkë me mua, luan futboll në plazh, ose më ndjek nëpër pyje. Dhe pastaj kam një tjetër të vogël që do ta përjetojë të njëjtën gjë”, ka thënë ai.

Aktori ka thënë se do t’ua lë fëmijëve atë vend.

“Të kenë mundësinë ta ndajnë me fëmijët e tyre. Kjo ka shumë rëndësi për mua. Nuk ka të bëjë me luksin apo komoditetin që jemi mësuar. Ka të bëjë me familjen. Me trashëgiminë”, ka thënë ai.