Showbiz

Johny Depp nuk do ta harrojë nëpër çfarë ka kaluar

Johny Depp

Johny Depp

Artisti i njohur amerikan Johny Depp ka shpjeguar se sa i lidhur ndihet me artistin italian Amadeo Modigliani, historinë e të cilit po fokusohet ta shpërfaqë pasi po bën regjinë e filmit të ri.

“Çdo kush e ka historinë e vet. Sigurisht, mund të thuash se kam qenë nëpër disa situata jo të mira. Por ia kam dalë, tash jam mirë. Mendoj se të gjithë kemi qenë ndonjëherë pjesë e situatave të tilla kohët e fundit. Ndoshta e juaja nuk bëri bujë sikur ajo e imja, megjithatë të gjithë i përjetojmë”, ka thënë ylli në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit San Sebastian, shkruan FemaleFirst.

Aktori ka cekur gjithashtu se nuk do të harrojë nëpër çfarë ka kaluar.

“Këto gjëra që jemi në gjendje t’i përjetojmë, t’i kujtojmë e t’i përdorim, janë diçka që nuk harrohen. Këto gjëra të lënë shenja, për të cilat shpesh mund të jesh shumë i interesuar për të folur, por ndoshta nuk mundesh”, ka thënë Johny.

61-vjeçari në vitin 2022 ishte i përfshirë në një betejë gjyqësore me ish-gruan e tij, aktoren Amber Hard, e cila e ka akuzuar për dhunë fizike, ndërkohë që Johny e paditi për shpifje. Aktori pati pranuar se me vetëdije ishte distancuar nga Hollywoodi, pasi i ndodhi ky rast.

“Tani nuk ndihem fare i bojkotuar. Aspak. Nuk ndihem i bojkotuar nga Hollywoodi sepse nuk mendoj për të. Nuk mendoj për Hollywodin. S’kam më nevojë për Hollywoodin”, pati thënë Johny në një konferencë për shtyp gjatë festivalit të filmit në Kanë.

Vitin e kaluar, ylli kishte festuar 60-vjetorin e lindjes dhe një burim i afërt me të pati bërë të ditur se ai i ka tejkaluar “dramat personale” që i kanë ndodhur.

“Vitin e kaluar, ai kishte mundësi t’i prekte shumë pjesë të ndryshme të jetës së tij, të cilat nuk mund t’i përjetonte më herët edhe aq për shkak që ishte shumë i zënë duke u marrë më gjyqin që po ndodhte me Amberin. Është mirë për të që të jetë artist para së gjithash”, pati thënë burimi për revistën People.