Showbiz

John Malkovich tregon për rolin në “Fantastic Four” dhe refuzimet e mëparshme ndaj Marvel

John Malkovich

John Malkovich

Foto: Associated Press

Aktori i njohur John Malkovich ka zbuluar arsyet pse ka refuzuar vazhdimisht ofertat për role në filmat e Marvelit, deri në pranimin e rolit në filmin e ardhshëm “The Fantastic Four: First Steps”.

Në një intervistë për revistën GQ, Malkovich ka shpjeguar se refuzimet e tij nuk kishin të bënin me konsiderata artistike, por me kushtet financiare të ofruara nga studioja. 

“Arsyeja pse nuk i kam bërë ato nuk kishte të bënte fare me ndonjë konsideratë artistike. Nuk më pëlqyen marrëveshjet që bënë, aspak”, ka thënë ai.
 

Malkovich ka theksuar se xhirimet për këto filma janë mjaft të lodhshme dhe kërkojnë përkushtim të madh. 

“Këto filma janë mjaft rraskapitës për t’u realizuar... Nëse do të më varësh nga një vinç përpara një ekrani të gjelbër për gjashtë muaj, më paguaj. Nuk dëshiron të më paguash, është në rregull, por atëherë unë nuk dua ta bëj, sepse do të preferoja të isha në skenë ose të drejtoja një shfaqje apo të bëja diçka tjetër”, ka thënë tutje ai.

Megjithatë, aktori 71-vjeçar vendosi ta pranonte rolin në filmin “The Fantastic Four: First Steps” për të punuar sërish me regjisorin Matt Shakman, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “Cut Bank” të vitit 2014. 

Malkovich ka cekur se përvoja në këtë film nuk ka ndryshim të madh nga teatri.

“Nuk është aq ndryshe nga të bërit teatër. Ti imagjinon një sërë gjërash që nuk janë aty dhe bën shfaqjen tënde të vogël”, ka thënë aktori.

Roli i Malkovichit në filmin e ri të Marvelit ende nuk është zbuluar plotësisht, por sipas GQ, spekulimet sugjerojnë se ai mund të luajë Ivan Kragoff, i njohur si Red Ghost, një shkencëtar sovjetik dhe antagonist në universin e “Fantastic Four”. Filmi pritet të dalë në kinema më 25 korrik të këtij viti.
Përveç angazhimeve të tij në kinematografi, Malkovich ka qenë aktiv edhe në teatër. Në muajin nëntor të vitit 2024, ai ishte në Sofje për shfaqjen “Arms and the Man” në Teatrin Kombëtar. Pavarësisht famës së tij në Hollywood, Ploshtadslaveikov ka raportuar se aktori ka pranuar një pagesë të barabartë me atë të regjisorëve të tjerë në këtë teatër.

Aktualisht, Malkovich jeton në periferi të Bostonit, afër mbesës së tij, së bashku me partneren, Nicoletta Peyran. 

GQ gjithashtu ka shkruar se ai vazhdon të jetë aktiv në projekte të ndryshme filmike dhe teatrore, duke ruajtur një qasje të thjeshtë ndaj jetës dhe karrierës së tij.