Showbiz

Jimmy Kimmel mes lotësh kritikon Trumpin për komentet për zjarret në Los Angeles

Jimmy Kimmel kritikon Trumpin

Jimmy Kimmel kritikon Trumpin

Komediani Jimmy Kimmel ka shpërthyer në lot, teksa ka kritikuar ashpër presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për komentet e tij në lidhje me zjarret shkatërruese në Los Angeles. 
Gjatë emisionit të tij Jimmy Kimmel Live”, ai i ka cilësuar “të neveritshme” komentet sulmuese të Trumpit ndaj zjarrfikësve dhe ka theksuar se ky nuk ishte momenti për të bërë akuza ndaj liderëve të Californias, por momenti për të falënderuar ata që janë duke luftuar për të shpëtuar jetët, ka shkruar FemaleFirst.

“Sot nuk dua të flas për të gjitha gjërat e shëmtuara dhe të papërgjegjshme që ka thënë presidenti ynë i ardhshëm dhe të gjithë ata të tjerë që ishin me të gjatë kësaj periudhe të errët dhe të tmerrshme. Faktikisht, ai zgjodhi t'i sulmonte zjarrfikësit tanë, të cilët po rrezikojnë jetën e tyre për ne, dhe kjo është e neveritshme, por jo e papritur”, ka thënë Kimmel.

Ai vazhdoi duke shtuar se në vend të kësaj, do të fokusohet në falënderimin e atyre burrave dhe grave, sepse kjo “është gjithçka që duhet të bëjmë”.

Kimmel, i emocionuar dhe me lot në sy, ka thënë se shumë njerëz në Los Angeles janë prekur drejtpërdrejt nga zjarret dhe se shumë nuk e dinë ende nëse ka përfunduar ky makth.

“Çdo njeri që jeton në këtë qytet njeh dikë, shumë prej nesh, shumë njerëz; familjarë, miq, kolegë, fqinjë që kanë humbur shtëpitë”, ka thënë ndër të tjera komediani.

Ai gjithashtu ka theksuar se, ani pse situata është e tmerrshme, ka pasur një anë pozitive në mënyrën se si komuniteti ka bashkëpunuar duke mbështetur njëri-tjetrin.

“Për të gjithë ne, ka qenë një përvojë e trishtueshme dhe shokuese, por në shumë aspekte, ka qenë një përvojë e bukur sepse pamë që njerëzit po bashkohen për të ndihmuar njëri-tjetrin”, ka thënë Kimmel.

Nga ana tjetër, Trump ka përdorur platformën e tij “Truth Social” për të kritikuar liderët e Californias për trajtimin e zjarreve.

“Zjarret ende po vazhdojnë në LA. Politikanët e paaftë nuk dinë si t’i fiknin ato. Mijëra shtëpi të mrekullueshme janë shuar dhe shumë të tjera do të humbasin së shpejti. Ata thjesht nuk mund t’i fiknin zjarret. Çfarë nuk është në rregull me ta?”, ka shkruar Trump.