Showbiz

Jennifer Lopez zyrtarisht nis procesin e shkurorëzimit nga Ben Affleck

Jennifer Lopez dhe Ben Affleck ishin ribashkuar si çift më 2021

Jennifer Lopez dhe Ben Affleck ishin ribashkuar si çift më 2021

Çifti i njohur i Hollywoodit - ylli me prejardhje latine, Jennifer Lopez, dhe aktori amerikan, Ben Affleck- zyrtarisht kanë nisur procedurën për t’u shkurorëzuar.

Pas shumë raportimeve për ndarjen e tyre, që nga mbrëmja më e rëndësishme e modës METGala, në të cilën Lopez ishte një ndër nikoqiret dhe u shfaq e vetme në tepihun e kuq, çifti nisi procedurën e divorcit - saktësisht dy vjet pasi u martua.

Lopez dorëzoi dokumentet për kërkesë divorci të martën në gjykatën e Los Angelesit, ka shkruar BBC.
Lopez, e cila e pati marrë mbiemrin Affleck, në dokumentet e divorcit nuk ka përmendur asgjë rreth marrëveshjes paramartesore.

Jennifer Lopez në ditën e aplikimit për shkurorëzim

Në një dokument të lëshuar nga Gjykata e Los Angelesit, citohet të thuhet se edhe Lopez edhe Affleck duhet të ndajnë informata financiare. Gjykata i ka dhënë Lopezit 60 ditë që të arrijë marrëveshjen financiare e të dorëzojë dokumentet me kërkesat e saj dhe 60 ditë të tjera që Affleck t’i shqyrtojë. Nëse ndonjëherë nuk i dorëzon informatat financiare, mund të rezultojë me sanksione nga gjykata.

Çifti që nga tabloidet quhej “Bennifer”, qe martuar në Los Angeles në korrik të vitit 2022 dhe bëri ceremoni më të madhe martesore me shumë të ftuar në Georgia pas një muaji.

Romanca e tyre filloi pasi u njoftuan në kohën që ishin duke punuar bashkë në filmin e vitit 2003 “Gigli”. Ata patën planifikuar të martoheshin atë vit, por e ndërprenë lidhjen në fillim të vitit 2004.

Gati dy dekada më vonë rinisën lidhjen.

“Dashuria është e bukur. Dashuria është e mirë. Si duket dashuria është edhe me durim. Ka duruar 20 vjet”, pati thënë Lopez në vitin 2022 pasi dha lajmin për dasmën në Los Vegas.

Affleck më parë ishte i martuar me aktoren Jennifer Garner me të cilën ka tre fëmijë dhe u nda pas një dekade. Lopez ishte e martuar katër herë. Me banakierin Ojani Noa nga viti 1997 deri në ’98, me valltarin Chris Judd nga viti 2001 deri ne 2003, me këngëtarin latin, Marc Anthony, nga viti 2004 deri në vitin 2014, me të cilin ka binjakët Max dhe Emme. Këngëtarja ishte fejuar edhe me sportistin Alex Rodriguez.