Një burim i afërt me këngëtaren me prejardhje latine, Jennifer Lopez, ka thënë se ajo ndihet mirënjohëse për kujtimet e bukura që ka nga lidhja me ish-burrin e saj, aktorin Ben Affleck.
Është raportuar se këngëtarja, pas divorcit, nuk po dëshiron të ngecë në kujtimet e çasteve të këqija që pati me ish-burrin, por po dëshiron t’i vlerësojë çastet e mira që kishte me të përgjatë dy vjetëve martesë.

“Ajo nuk donte të niste procedurën e divorcit, por thjesht iu duk sikur nuk ka zgjidhje tjetër, sepse nuk do të ndryshonte asgjë me Benin”, ka thënë burimi për revistën People, duke shtuar se 2024-ta ishte një ndër vitet më të vështira për Lopezin.
Burimi ka thënë gjithashtu se këngëtarja, jo vetëm që është përballur me gjykime e spekulime publike rreth martesës, por ajo gjithashtu ka kaluar gjithë verën e vetme në Hamptons pasi anuloi turneun botëror “This Is Me...Live Tour”.
Sipas burimit ani pse është dukur sikur po mban qëndrim pozitiv, ajo ishte tepër e tronditur nga gjithçka. Por burimi ka theksuar se pasi po ndjek këndvështrimin pozitiv të gjërave ajo është duke ecur përpara me optimizëm.
“Në vend se të ndihet tejet e mërzitur dhe e poshtëruar, ajo po e shikon situatën sikur ishte e thënë për të ndodhur ashtu. Ajo është duke kaluar kohë me veten tani. Ajo e di se jeton një jetë të privilegjuar në shumë aspekte. Ajo ndihet tepër mirënjohëse për çastet e mira që ka kaluar me Benin, por tani është e fokusuar për ta ndërtuar një të ardhme shumë të mirë për fëmijët e saj dhe veten”, ka thënë ndër të tjera burimi.
Ditë më parë, Lopez, ka dhërë një intervistë për gazetën “Interview”, ku në rolin e intervistueses ka qenë komediania Nikki Glaser.

Kur komediania e pyeti këngëtaren se a është pishman që u bashkua me Affleckun pas 20 vjetësh ndërkohë që ajo u përgjigj duke thënë “asnjë sekondë”.

“Por kjo nuk do të thotë se nuk me goditi shumë rëndë. Për pak më mbyti. Por tash, në anën tjetër të të gjithë kësaj, mendoj me vete: ‘Kjo ishte pikërisht ajo që më nevojitej. Faleminderit Zot. Më vjen keq që mu desh kaq shumë kohë për ta kuptuar. Më vjen keq që të është dashur ta bësh këtë kaq shumë herë. Do të duhej që ta kisha mësuar mësimin dy apo tre herë më parë. E kuptoj tash. Të është dashur të më godasësh me diçka tepër të rëndë në kokë. Ma hodhe shtëpinë mbi mua. Nuk do të të duhet ta bësh prapë’”, ka thënë Lopez.