Këngëtarja me prejardhje latine, Jennfier Lopez, pritet t’i bashkohet, kandidates demokrate për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, Kamala Harris, në një tubim politik që do ta mbajë në Las Vegas të enjten.
“Deadline”, sipas burimeve, ka raportuar se Lopez do të flasë rreth rëndësisë që ka vota dhe se përse ka vendosur ta përkrahë Harrisin në këto zgjedhje.
Ditë më parë, Lopez, në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram ka ndarë planin që ka Harris për ta ndërtuar ekonominë e Porto Rikos, pasi komediani Tony Hinchcliffe, në një tubim politik të kandidatit republikan Donald Trump, e kishte quajtur Porto Rikon “ishull të mbeturinave”.
Këngëtarja ka bërë disa postime për krenarinë që ndien që është me prejardhje latine.
Artistë të tjerë më prejardhje latine, si Ricky Martin dhe Bad Bunny gjithashtu kanë shprehur përkrahjen e tyre për Harrisin.
Në një video që kishte ndarë Bad Bunny, Harris ka thënë se “nuk do ta harrojë kurrë atë që ka bërë Donald Trump, e as atë që nuk e ka bërë”, në kohën kur Porto Riko ka pasur nevojë për një lider të mirëfilltë.
“Ai e ka braktisur ishullin dhe u mundua t’i bllokonte ndihmat pas uraganit shkatërrues që e përfshiu dhe nuk ofroi asgjë më shumë se disa letra tualeti dhe ofendime”, ka thënë Harris.
Në anën tjetër Martin ka ndarë në Instagram shumë postime në lidhje me çështjen përfshirë videon e Hinchcliffet duke shkruar se “kjo është ajo çfarë mendojnë për ne”.
Këngëtari Luis Fonsi gjithashtu ka postuar një mesazh duke kërkuar vëmendje ndaj këtij komenti.