Këngëtarja me famë botërore, me prejardhje latine, Jennifer Lopez, dhe burri i saj, aktori, Ben Affleck, janë parë për herë të parë bashkë pas më shumë se një muaji.
TMZ ka raportuar se çifti kanë kaluar fundjavën bashkë dhe është fotografuar të dielën.

Çifti janë parë bashkë në Santa Monica të dielën, ku të dy shkuan për ta mbështetur Emmen, të bijën e Jenniferit, në një ngjarje që kishte organizuar shkolla. E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ish-gruaja e Benit, aktorja, Jennifer Garner, me të bijën Fin, pasi ajo ka marrëdhënie të ngushta me Emmen.
Jennifer dhe Ben, pas ngjarjes, shkuan për të drekuar në restaurantin BOA në Los Angeles, ku të gjithë paparacët i fotografuan. Të dy kishin të vendosura unazat e martesës.

Beni ka qenë duke jetuar në Brentwood në një shtëpi me qira, kurse Jennifer në shtëpinë që çifti e ka blerë për të jetuar bashkë në Beverly Hills.
Të premten janë parë duke diskutuar bashkë, pas një shfaqjeje të së bijës së Affleckut, ku morën pjesë të dy.
Një burim i afërt me çiftin, ka thënë se ata po mundohen t'i zgjidhin problemet martesore nëpër të cilat po kalonin, raporton Entertainment Tonight.

Disa ditë më parë, Beni është fotografuar duke vozitur veturën nëpër rrugët e Los Angelesit, ku u pa se kishte unazën e martesës në gisht.
Përveç spekulimeve, një burim i ka thënë ET se Jenniferi nuk i kushton rëndësi gjërave negative.
“Asaj gjithnjë i është dashur të përballet me kritika dhe e di që ndonjëherë mund të keqkuptohet nga disa njerëz”, ka thënë burimi, kurse për Benin ka thënë se e mbështet Jenniferin 100 %.
“Ata e dinë se thashethemet janë pjesë e biznesit dhe ia rikujtojnë njëri-tjetrit se nuk do të mund t'i kënaqin të gjithë. Ata e vlerësojnë atë që ka me të vërtetë rëndësi, e ngrehin lartë njëri-tjetrin dhe inkurajojnë talentet e njëri-tjetrit”, ka thënë ndër të tjera burimi.
Thashethemet se çifti është ndarë erdhën pasi Jennifer u shfaq vetëm në tepihun e kuq të ngjarjes më të madhe të modës, ku ishte edhe bashkë-nikoqire, MET Gala.
Ben Affleck dhe Jennifer Lopez ishin në lidhje, para se të ndaheshin në vitin 2003. Njëzet vjet më pas ata rifilluan lidhjen dhe u martuan.
Projektet e fundit, filmike e muzikore,”This is Me... Now”, Jenniferi ia kushtoi dashurisë ndaj Affleckut duke shpalosur shumë të pathëna përmes albumit, filmit e dokumentarit.