Showbiz

Jay Leno solidariozohet me komunitetin e tij pas zjarreve në Los Angeles

Jay Leno

Foto: London Entertainment / SplashNews.com

Prezantuesi i famshëm Jay Leno ka treguar solidaritet për komunitetin e tij në Los Angeles, që u godit nga zjarret shkatërruese.

Leno 74-vjeçar, ka përdorur kamionin e tij për të shpërndarë ushqim për ekipet e shpëtimit që po punojnë pa pushim për t’i shuar zjarret.

Në një intervistë me Anderson Cooper në CNN, Leno ka shpjeguar se kishte përdorur një kamion zjarrfikës të vitit 1941 për të shpërndarë ushqime të ngrohta për ekipet e zjarrfikësve. “Ne po gatuajmë për ekipin. Ata po marrin drekën të paketuar, kështu që menduam t’u ofronim ushqim të ngrohtë”, ka thënë Leno.

Leno gjithashtu ka ndihmuar në Rose Bowl në Pasadena më 12 janar dhe ka thënë se do të vizitojë edhe vende të tjera gjatë javës për të vazhduar ndihmën e tij. 

Ai e cilësoi si një prej katastrofave natyrore më të mëdha në SHBA, ndërsa bëri edhe krahasim me sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Kullat Binjake. 

“Është e pabesueshme. Është katastrofa më e madhe natyrore, jo se 9/11 ishte një katastrofë natyrore, por është në atë shkallë”, ka thënë Leno. 

Ai shtoi se shkatërrimi është aq i madh saqë, “po të vozisje gjithë ditën, nuk do t’i shihje dot 10,000 ndërtesa”.

Leno gjithashtu ka krahasuar shkatërrimin me atë që ndodhi në Hiroshima gjatë Luftës së Dytë Botërore, qytetin ku SHBA-ja hodhi bombë atomike. 

“Për 3-4 ditë pas 9/11, njerëzit harruan besimet politike dhe u bashkuan për një qëllim të vetëm. Po ndodh përsëri këtu. Një qytet i tërë është shkatërruar. Pacific Palisades nuk ekziston më dhe ndoshta nuk do të ekzistojë për pesë vjetët e ardhshme”, ka thënë ylli.

Këto zjarre kanë përfshirë hapësira të madhe toke dhe janë shpërndarë në disa zona të Los Angeles, duke shkaktuar dëme të mëdha. Dëmet e mundshme mund të shkojnë deri në 150 miliardë dollarë, duke e bërë zjarrin me dëmet më të mëdha financiare në histori të SHBA-së.

Yje të filmit si Jamie Lee Curtis, e cila jeton në Pacific Palisades, gjithashtu kanë folur për tragjedinë. 
Ajo e ka krahasuar pamjen e qytetit me vendet e shkatërruara nga lufta.

“Pacific Palisades është si Gaza ose një nga këto vende të shkatërruara nga lufta ku kanë ndodhur gjëra të tmerrshme”, ka thënë aktorja.

Përkundër të gjitha dëmeve, Leno ka shpresë.

“Do ta kalojmë edhe këtë. Ne gjithmonë e bëjmë”, ka thënë ai.