Showbiz

Jay Leno: Dashuria e vërtetë nuk është thjesht pasion

Jay dhe Mavis Leno

Jay dhe Mavis Leno

Foto: Associated Press

Jay Leno, ish-prezantuesi i njohur i “The Tonight Show”, ka rrëfyer se martesa e tij nuk është përcaktuar nga pasioni apo koha e kaluar bashkë në vitet më të mira, por nga mënyra si kujdeset për bashkëshorten e tij, Mavis Leno, që prej diagnozës së saj me demencë.

74-vjeçari është i martuar me Mavisin, 78-vjeçe, që nga viti 1980.

“Kur martohesh, bën një betim: ‘A do ta mbaj këtë zotim? Apo do të jem ai tipi i neveritshëm që, sapo ndodh diçka me gruan, shkon pas shitëses në minimarket?’ Jo, nuk e bëra këtë. Unë e dua kohën me gruan time. Shkoj në shtëpi, gatuaj për të, shikojmë televizor dhe është në rregull”, ka thënë Leno në një intervistë prekëse për podcastin In Depth with Graham Bensinger, ka raportuar FemaleFirst. “Më pëlqen të kujdesem për të. Më pëlqen që ajo ka nevojë për mua. Kur ushqen dikë, kur e ndihmon të shkojë në banjë, kur i ndërron rrobat… këto janë gjërat që, në fakt, përcaktojnë një martesë”.

Leno ka theksuar se nuk është fjala për të pasur një partner që është vetëm “tërheqës dhe seksi”, por për ta dashur edhe në momentet më të vështira, kur dashuria duhet të vërtetohet përmes veprimit dhe përkushtimit.
“Jam i lumtur që nuk ika. Jam i lumtur që nuk u hodha në krahët e ndonjë gruaje sa gjysma e moshës sime, apo ndonjë budallallëk tjetër. Më mirë rri me të se sa të jem diku tjetër”, ka shtuar ai.

Në prill të këtij viti, Leno mori edhe zyrtarisht kujdestarinë mbi pasurinë e përbashkët të çiftit, me një vendim nga Gjykata e Lartë e Qarkut të Los Angelesit. Gjykatësja Brenda Penny vendosi se kujdestaria ishte “e përshtatshme” duke e lejuar Lenon të menaxhojë financat dhe pasurinë e çiftit.