Showbiz

Janet Jackson kërkon falje për komentet raciste ndaj Kamala Harrisit

Janet Jackson dhe Kamala Harris

Janet Jackson dhe Kamala Harris

Këngëtarja me famë botërore, Janet Jackson, ka kërkuar falje publikisht pasi kishte thënë se kandidatja për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, nuk i takon racës së zezë, duke i bërë bujë një pretendimi të rrejshëm të rivalit të saj, Donal Trump.

58 vjeçja, ka bërë një koment të papritur për zëvendëspresidenten kur u pyet se si do të ndihej nëse Harris do të bëhej gruaja e parë me ngjyrë presidente e SHBA-së.

Në një deklaratë të re për Buzzfeed, menaxheri i Jacksonit, Mo Elmasri ka thënë se ajo ka respekt të madh për Harrisin dhe arritjet e saj si një grua me ngjyrë dhe indiane.

“Janet kërkon falke për paqartësinë e shkaktuar dhe e njeh rëndësinë që paraqet diskursi publik. Ne jemi mirënjohës që patëm mundësi të adresojmë këtë çështje dhe do të mbetemi të përkushtuar në promovimin e unitetit”, ka thënë Elmasri.

Krijuesja e hitit “All Of You” ka thënë se zëvendëspresidentja nuk është e racës së zezë.

“Kështu kam dëgjuar. Se është indiane. Babanë e ka të bardhë. Kështu më kanë thënë”, pati thënë Jackson.

Ajo ka pranuar gjithashtu se nuk i kishte parë lajmet për disa ditë dhe se dikush e kishte zbuluar se babai i Harrisit ishte i racës së bardhë.

Harris është bija e Shyamala Gopalan, hulumtuese e kancerit nga India, dhe Donald Harris, profesor i ekonomisë, me prejardhje nga Xhamajka, që i përket racës së zezë.

Gopalan ka vdekur nga kanceri në moshën 70 vjeçare në vitin 2009, kurse Donald është 86 vjeç dhe është profesor i ekonomisë në Universitetin e Stanfordit.

Komentet e Jacksonit erdhën pasi Trump kishte bërë disa deklarime të ngjashme gjatë një fjalimi në konventën e Asociacionit të Gazetarëve me Ngjyrë në muajin korrik në Chicago.

“Harris gjithnjë ka mbështetur trashëgiminë indiane. Nuk e kam ditur se i përket racës së zezë deri disa vite më parë, ku u bë e racës së zezë dhe tani dëshiron të njihet si e tillë”, pati thënë Trump në tubim.

Harris ka folur hapur për prejardhjen e saj dhe se si është rritur duke vlerësuar të dyja racat. Ajo ka shkuar në Universitetin e Howardit, kolegj historikisht i njohur si i racës së zezë, i cili ndodhet në Washington.

Në vitin 2021 ajo pati treguar se si babi i saj e kishte dërguar atë bashkë me motrën e saj në një koncert të këngëtarit të njohur me prejardhje nga Xhamajka, Bob Marley.

“Më kujtohet që ishim ulur në ulëset e pasme të teatrit dhe e shikoja performancën. Isha shumë e ngazëllyer. Edhe sot, i di pothuajse të gjitha tekstet e këngëve të Bob Marleyt. Babi im, si shumë xhamajkanë të tjerë, krenohet shumë që kemi prejardhje nga atje dhe na e ka përcjellë të njëjtën krenari edhe mua e motrës. E duam Xhamajkën. Ai na ka mësuar historinë e vendit nga i cili vijmë, vuajtjet dhe bukuritë e popullit xhamajkan dhe pasurinë e kulturës së tyre”, pati thënë Harris.