Aktori i njohur, Jamie Foxx, nuk e ka diskutuar publikisht se çfarë ia ka shkaktuar problemet shëndetësore që pati vitin e kaluar, por ka ndarë disa detaje gjatë një takimi, të cilat u incizuan e u shfaqën në një video.
Aktori fitues i çmimit “Oscar” ishte shtrirë në spital në muajin prill të vitit 2023, pasi përjetoi krizë shëndetësore ndërkohë që po xhironte filmin “Back In Action” në Atlanta, shkruan CNN.
Në një video të postuar në rrjetin social TikTok, shihet Foxxi duke ju treguar një grupi të njerëzve që ai pati një kokëdhimbje të tmerrshme më 11 prill. Ai mban mend se i ka kërkuar një shoku hap kundër dhimbjes dhe më pas nuk mban mend asgjë. “Shkova për 20 ditë”, ka thënë ai.
Ai shpjegoi më tutje se i kanë treguar që motra e tij dhe vajza e dërguan tek doktori, i cili i dha një injeksion ndërkohë që një tjetër doktor i ka thënë se diçka po ndodh këtu, duke bërë me shenjë tek koka.
“Nuk do ta them në kamerë”, ka thënë Foxx.
Ylli njihet për ruajtjen e privatësisë pasi nuk ndan shumë nga jeta e përditshme me publikun dhe është zhdukur nga syri publik që kur vajza e tij, Corinne, pati lajmëruar në rrjete sociale se ai ka një komplikim shëndetësor.
Në muajin korrik të vitit 2023, ylli pati shpjeguar se ai ka zgjedhur që të mos ndajë informata të tjera sepse nuk donte që publiku ta shihte në atë gjendje.
“Dua që ju të më shihni duke qeshur, duke ia kaluar mirë, duke festuar, duke bërë shaka, duke bërë një film, show televiziv. Nuk dua që ju të më shihni me tuba duke u munduar të kuptoj se a do të mund t’ia dal”, ka thënë ai në një video që pati postuar në Instagram, duke shtuar se ka shkuar në ferr dhe është kthyer.
Më pas pati ndarë edhe një tjetër lajm përmes Instagramit, duke thënë se ndihet falënderues pasi më në fund ka filluar të ndihet si vetja.
“Ishte një udhëtim i errët, i papritur, por tani mund ta shoh dritën”, pati thënë Foxx.