Showbiz

Hugh Grant: Shkollat e fiksuara pas ekraneve po i shkatërrojnë fëmijët

Hugh Grant

Hugh Grant

Foto: Associated Press

Aktori dhe babai i pesë fëmijëve udhëheq fushatën për ndalimin e laptopëve dhe tabletëve në shkolla

Aktori, Hugh Grant, i njohur për rolet e tij në komedi romantike, është kthyer në një zë të fuqishëm për ndalimin e teknologjisë në shkolla. Ai është bashkuar me psikologun amerikan, doktorin, Jonathan Haidt dhe aktoren Sophie Winkleman në një fushatë të re që synon largimin e telefonave, tabletëve dhe kompjuterëve nga bankat shkollore, ka raportuar The Telegraph.

“Jam thjesht një prind tjetër i zemëruar që lufton çdo ditë me varësinë e fëmijëve nga ekranet”, ka deklaruar Grant gjatë një ngjarjeje në shkollën Knightsbridge në Londër, të organizuar nga grupi aktivist "Close Screens, Open Minds".

Teknologjia, miku apo armiku i nxënësve?

Sipas një raporti të Departamentit për Arsim në Mbretërinë e Bashkuar, 98% e mësuesve përdorin teknologjinë në klasë, dhe më shumë se 90% e nxënësve kanë qasje në tabletë apo laptop. Por Grant dhe Haidt janë të bindur se kjo nuk është për të mirën e tyre.

“Kur shkolla me krenari njoftoi se çdo fëmijë merr një 'Chromebook' për të mësuar dhe për të bërë detyrat, mendova: kjo është gjëja e fundit që i duhet një fëmije”, ka thënë Grant i zhgënjyer.

Doktori Haidt, autor i librit “The Anxious Generation” (2024), ka argumentuar se pajisjet digjitale po “ristrukturojnë trurin” e brezave të rinj. Ai ka kërkuar ndalimin e telefonave deri në moshën 14-vjeçare dhe ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

Sipas tij, futja e teknologjisë në shkolla përkon me rënien drastike të rezultateve në testet e matematikës dhe drejtshkrimit pas vitit 2012.

“Kur gjysma e ditës kalon duke ndjekur aplikacione që shpërblejnë me ikona dhe emoji, truri mësohet me stimuj të shpejtë dhe nuk mund të përballojë më asgjë që kërkon përqendrim të vërtetë”, ka thënë ai.

Politikanët nuk e ndryshojnë sistemin, prindërit po

“Politikanët nuk bëjnë asgjë sepse është gjëja e drejtë, ata lëvizin vetëm kur kanë frikë se do humbasin vota. Prandaj, fuqia qëndron te prindërit e zemëruar”, ka thënë Grant me ironi për klasën politike.

Sipas tij, kur shumica e prindërve ngrenë zërin, shkollat detyrohen të dëgjojnë, nga frika e humbjes së reputacionit dhe nxënësve. Ai sugjeroi krijimin e një “shkolle heroike” që i kthen fëmijët në natyrë dhe i largon nga ekranet.

Kritika për shkollat private

Ironikisht, Grant u ankua edhe për shkollat elitare ku shkollohen fëmijët e tij.

“Nuk i lënë fëmijët të dalin jashtë sepse po bie shi, apo nuk i lejojnë të ngjiten në strukturat e lojërave sepse fryn erë. Është e trishtueshme”, ka thënë ai.

“Çfarë vlere ka shkolla nëse gjithçka e bën ChatGPT?”

Sophie Winkleman, gjithashtu prind, ka shtuar se teknologjia nuk e revolucionarizon arsimin.

“Na shiten ëndrra se teknologjia do revolucionarizonte arsimin. Por rezultatet janë të zymta. Fëmijët po përdorin ChatGPT për të shkruar detyrat, dhe mësuesit përdorin AI për t’i korrigjuar. Atëherë, për çfarë po shkojmë në shkollë?”, ka thënë ajo.