Showbiz

Mirren mendon se ngjan aq shumë me Fordin sa do të bënte test ADN-je për të parë nëse janë të afërt

Helen Mirren dhe Harrison Ford

Helen Mirren dhe Harrison Ford

Foto: Associated Press

Aktorja Helen Mirren ka thënë se dëshiron të bëjë një test ADN-je për të zbuluar nëse ka ndonjë lidhje familjare me Harrison Ford, pasi ata shkojnë aq mirë me njëri-tjetrin.

Aktorja 79-vjeçare luan përkrah legjendës së Hollywood-it, 82-vjeçarit Harrison Ford, në serialin “1923”, e cili është parathënie e serilait “Yellowstone”. Ajo ka thënë se marrëdhënia e tyre është aq e veçantë, saqë mund të jenë të afërm të largët.

“Harrison dhe unë kemi një gjë të çuditshme. Është si ai miku më i mirë nga kolegji, që nuk e ke parë për 30 vjet, por kur takoheni sërish, gjithçka është njësoj, madje edhe më mire. Ndoshta duhet të bëjmë një test ADN-je. Ndoshta jemi vëlla e motër në fund të fundit”, ka thënë ylli në një intervistë për People.

Mirren dhe Ford patën punuar bashkë në filmin “The Mosquito Coast” në vitin 1986. Pas deklaratës së saj, Ford u përgjigj duke thënë se kjo është diçka e çuditshme.

“Epo, kjo e bën edhe më të çuditshme”, ka thënë aktori ndërkohë që aktorja shtoi se ndoshta mund të jenë kushërinj.

Ford, nga ana tjetër, ka thënë se ndonjëherë, disa aktorë “përshtaten” në një projekt.

“Ne u takuam 40 ose 50 vjet më parë kur xhiruam ‘Mosquito Coast’. Dhe tani, 40 vjet më vonë, unë kam dëgjuar që ajo ka nënshkruar për ta bërë këtë projekt, dhe ajo ka dëgjuar se unë gjithashtu kam nënshkruar. Por ja ku jemi përsëri. Ka miliona lloje të ndryshme aktorësh, po aq të ndryshëm sa janë dentistët nga njëri-tjetri – por kur ekziston ajo ndjesi e përshtatjes, e kupton menjëherë”, ka thënë Ford.