Showbiz

Hayley Atwell tregon këshillën e Tom Cruise për përballjen me ankthin social

Hayley Atwell dhe Tom Cruise

Hayley Atwell dhe Tom Cruise

Foto: Associated Press

Aktorja Hayley Atwell ka zbuluar këshillën e pazakontë që ka thënë se ia ka dhënë aktori Tom Cruise për ata që përballen me ankthin social. “Provo të bësh të kundërtën e shmangies”, ka treguar ajo.

Gjatë një interviste në podcastin Reign With Josh Smith, Atwell, 41 vjeçe, ka treguar për fjalët e urta të Cruise, të cilat ai ia kishte thënë kur ajo i tregoi se ndonjëherë ndihej e pasigurt dhe e shqetësuar, ka raportuar FemaleFirst.

Pavarësisht se tingëllon e thjeshtë, aktorja, e cila ka luajtur krah Tom Cruise në filmin “Mission: Impossible – Dead Reckoning Part One”, ka  thënë se këshilla pati ndikim të thellë në jetën e saj.

“Nëse hyn në një dhomë dhe ndjen se ankthi po të pushton, që të bën të tërhiqesh dhe të mendosh më shumë seç duhet… ne priremi të mbyllemi në vetvete”, ka thënë ajo.

Por Cruise i ka sugjeruar një qasje të ndryshme: të fokusohet jashtë vetes, jo brenda saj.

Si duhet përballur me ankthin sipas Tom Cruise

Sipas Atwell, Cruise e inkurajoi të identifikonte burimin e shqetësimit të saj duke vëzhguar ambientin përreth dhe duke pyetur veten:

“Ku është? Ku ndodhet gjëja ku unë kam projektuar pasiguritë e mia?”

Ai i sugjeroi që të analizonte nëse ankthi i saj vinte nga një person që i kujtonte dikë që e kishte bullizuar në të kaluarën apo nga dikush që dikur e kishte refuzuar për ndonjë rol.

“Ku ndodhet ai shqetësim jashtë meje dhe ku mund të jetë burimi i tij?” – ishte koncepti që Cruise ia ka mësuar koleges.

Duke përdorur këtë këndvështrim të ri, Atwell, ka thënë se e pati më të lehtë të përballej me pasiguritë e saj.

“Nëse i shikoj shqetësimet e mia mjaftueshëm gjatë, ato nuk duken më si ‘përbindësh nën shtrat’”, ka shpjeguar ajo.

Aktorja tani beson se përballja e drejtpërdrejtë me shqetësimet mund të zvogëlojë fuqinë e tyre.

“Nëse e kuptoj ankthin tim, atëherë kam mundësinë të bëj diçka për ta kapërcyer atë. Nëse ke frikë nga diçka, shikoje me kujdes. Mos i mbyll sytë dhe mos u shmang ... shpesh vet situata do të të tregojë çfarë të bësh për ta kapërcyer”.

Hayley Atwell do të rikthehet në ekran krah aktorit Cruise në pjesën e ardhshme të “Mission: Impossible”, e titulluar “The Final Reckoning”, që do të ketë premierën më 23 maj. Filmi do të sjellë gjithashtu yje si Ving Rhames, Simon Pegg, Vanessa Kirby, Shea Whigham, Pom Klementieff dhe Henry Czerny.