Këngëtarja e njohur amerikane, Halsey, ka zbuluar se ka ca kohë që po lufton me sëmundje serioze.
Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në Instagram, ku ndër të tjera, këngëtarja shfaqet në gjendje të rënduar fizike dhe emocionale duke marrë terapi me infuzion.
“Shkurt historia, jam me fat që jam gjallë. Po ashtu e kam shkruar një album”, shkruhej në postim.
Ylli 29-vjeçar i muzikës, emri i vërtetë i së cilës është Ashley Frangipane, nuk e zbuloi diagnozën e sëmundjes së saj, por në postim i ka bërë ‘tagg’ organizatat shëndetësore, “Lupus Research Alliance” dhe “Leukemia & Lymphoma Society”, për të cilat edhe ka dhënë donacione.
“Ndihem si grua e moshuar”, dëgjohet duke thënë Halsey në një video, teksa i fërkon këmbët me duar për ta zbutur dhimbjen. “I kam thënë vetes që kam afat dhe dy vjet për të qenë e sëmurë. Kur t’i mbush të 30-tat, do të rilindi si person dhe nuk do të kem më dhimbje, nuk do të jem e sëmurë, do të dukem e bukur dhe tërheqëse, me shumë energji dhe do ta jetoj jetën në maksimum”.
Këngëtarja e hiteve të shumta muzikore, po ashtu i gëzoi fansat me një lajm të mirë. Ajo bëri të ditur se ka incizuar album të ri dhe kënga e parë e tij, një baladë me kitarë akustike e titulluar “The End”, tashmë është publikuar.
E njohur për tekstet emocionuese të këngëve të zhanrit pop, Halsey ka arritur sukses të madh që nga debutimi i saj në skenë në vitin 2015 me albumin “Badlands’. Katër albumet e saj të incizuara në studio kanë arritur të pozicionohen në vendin e parë ose të dytë në toplistat muzikore në Amerikë. Këngëtarja po ashtu ka kryesuar toplistat e këngëve më të mira me hitet “Woutout Me” dhe “Closer”, një bashkëpunim i Halseyt me grupin “Chainsmokers’. Albumi i ri vjen pas atij të vitit 2021, “If I Can’t Have Love, I Want Power”.
Në të kaluarën Halsey është përballur me disa probleme shëndetësore. Në vitin 2022 ajo deklaroi: “Kam kohë të gjatë që jam e sëmurë. Por tani sëmundjet e mia kanë emër. Kam tetë vjet që shkoj te mjekë të ndryshëm, duke provuar të zbuloj se çfarë po ndodhë me mua. Shumë njerëz më kanë quajtur të çmendur, person jo stabil që shqetësohet për çdo gjë, madje edhe dembele. Jam detyruar ta ndryshoj komplet stilin e jetës për shkak të këtyre problemeve shëndetësore”.
Këngëtarja ka treguar publikisht se është diagnostikuar me disa sëmundje si, sindroma Ehlers-Danlos që përcjellët me disa çrregullime të trashëguara që prekin indet lidhëse, kryesisht lëkurën, nyjat dhe muret e enëve të gjakut, sindroma Sjögren, që është një çrregullim i sistemit imunitar, sindroma idiopatike e aktivizimit të mastociteve e njohur si MCAS dhe sindroma e takikardisë ortostatike posturale e njohur si POTS, e cila ndikon në rrahjet e zemrës dhe sistemin nervor. Disa vjet më parë, ajo gjithashtu ishte diagnostikuar me endometriozë.