Aktorja e njohur Halle Berry dëshiron që gratë ta festojnë menopauzën si një moment të rëndësishëm në jetë, ashtu si çdo tjetër arritje madhore.
Sipas “PageSix”, gjatë një interviste në podcastin “The Tamsen Show”, Berry ka shpjeguar idenë që një grua të organizojë festë të veçantë kur ta kuptojë se ka hyrë në fazën e menopauzës.
“Kur një grua kupton se ka hyrë në menopauzë - pas 365 ditësh pa cikël menstrual - është detyrë e të gjithëve që t’i organizohet një ‘ndejë’ për ta festuar atë, ashtu siç bëjmë me çdo moment tjetër të rëndësishëm në jetë”, ka thënë aktorja.
Ajo ka pranuar se më parë kishte menduar se mund ta shmangte menopauzën falë një jete të shëndetshme.
“Kisha ndjesinë se nëse ushqehem siç duhet, bëj ushtrime dhe kujdesem për shëndetin tim, mund të bëj gjithçka. Nuk dija shumë për menopauzën, por isha e bindur se do ta shmangja, sepse isha shumë e shëndetshme!”, ka thënë tutje Berry.
Në vitin 2020, ylli pati lansuar platformën e mirëqenies “Respin”, të cilën kohët e fundit e ka orientuar më shumë drejt menopauzës dhe çështjeve të shëndetit të grave. Ajo po ashtu ka lobuar për më shumë hulumtime dhe financime për trajtimin e menopauzës.
“Gjithmonë na është thënë se kjo është diçka që ndodh kur plakemi dhe duhet thjesht ta pranojmë. Por jo, kjo nuk është e mjaftueshme”, pati theksuar ajo në një intervistë për Women's Health.
Berry gjithashtu ka treguar një përvojë personale të vështirë, kur një mjek gabimisht i diagnostikoi simptomat e paramenopauzës si herpes.
“Ishte shumë e dhimbshme kur përpiqesha të shkoja në tualet. Më duhej gati 10 minuta për të zbrazur fshikëzën, sepse ndjeja dhimbje të forta. Kishte substanca të çuditshme që nuk i kisha parë kurrë më parë”, ka rrëfyer 58-vjeçja në The Drew Barrymore Show.
Fillimisht, mjeku e ka diagnostikuar me “një rast të rëndë të herpesit”, çka shkaktoi panik dhe debat mes saj dhe partnerit të saj Van Hunt, për të kuptuar si mund ta kishin marrë sëmundjen.
“Kaluam 72 orë duke fajësuar njëri-tjetrin”, ka treguar aktorja.
Më pas, ajo ka treguar se mjeku e kishte telefonuar për t’ia dhënë lajmin e vërtetë, duke i thënë “nuk ke herpes”.
Pas një studimi të hollësishëm, Berry ka thënë se ka zbuluar se simptomat e saj ishin të lidhura me perimenopauzën, fazën që paraprin menopauzën.