Hollywood

Halle Bailey thotë se po e përjeton keq depresionin pas lindjes

Halle Bailey

Halle Bailey

Aktorja e Hollywoodit, e cila u bë e famshme me rolin e saj kryesor, në filmin e mirënjohur të Disneyt “The Little Mermaid”, Halle Bailey, ka thënë se po e përjeton rëndë depresionin pas lindjes.

“Shumë shpesh po e ndjej depresionin pas lindjes, nuk e di nëse ka nëna që ndihen si unë, por ka çaste që ndihem shumë keq. E kam problem të ndahem nga bebja ime për më shumë se 30 minuta”, ka thënë ajo në një video që ndau në rrjetin social Snapchat, raporton The Independent.

Ajo shpjegoi se partneri i saj Darryl Dwayne Granberry është baba shumë i mirë dhe se po e mbështet aktoren në këtë gjendje që po kalon pas lindjes. 

 

“Djali im Halo është mrekulli. Ai është perfekt. Është i bukur. Kur e shikoj, qaj sepse është shumë special. E vetmja gjë që po më mundon është se nuk po ndihem normal në trupin tim, po ndihem sikur të jem një person komplet tjetër. Kur shikohem në pasqyrë, ndihem sikur jam në një trup komplet të ri. Sikur nuk po e di se kush jam”, ka shpjeguar tutje aktorja.

Ajo tregoi se para se të mbetej shtatzënë i dëgjonte njerëzit të flisnin për depresionin pas lindjes dhe tha se fjalët e tyre i hynin në një vesh e i dilnin nga tjetri dhe nuk është se është koncentruar shumë në këto biseda.

“Nuk e kam pasur parasysh se çfarë gjëje serioze është. Tani që po kaloj nëpër të, ndihem sikur po notoj në oqean që ka valët më të mëdha që kam parë e po mundohem të notoj e të mos mbytem, mundohem të dal në sipërfaqe e të mbushem me ajër”, ka thënë tutja Halle.

Ylli bëri të qartë së depresioni i saj nuk ka të bëj fare me djalin e saj Halo dhe pranoi se gjendja e saj i është vështirësuar që nga dita kur postoi videon pasi i pa komentet që shkruheshin për të dhe familjen e saj.