Modelja Hailey Bieber ka folur për problemin shëndetësor me të cilin po përballet.
Në një foto të publikuar në Instastory ajo ka bërë të ditur se po vuan nga cistet në vezore.
Themeluesja e brendit “Rhode” në fotografi shihet me barkun zbuluar. Ajo ka shkruar se kushdo që është duke u përballur me një gjendje të ngjashme, e ka mbështetjen e saj, ka shkruar PageSix.
“Nëse edhe ju përballeni me ciste në vezore, jemi bashkë në këtë!”, ka thënë ajo.

Modelja 28-vjeçare nuk ka dhënë më shumë detaje, por në muajin nëntor të vitit 2022, ajo kishte treguar se kishte një cistë në vezore sa madhësia e një molle, duke hedhur poshtë thashethemet për një shtatzëni të mundshme.
“Nuk kam endometriozë apo sindromin e vezoreve policistike (PCOS), por kam pasur disa herë ciste në vezore dhe nuk është aspak e lehtë. Është e dhimbshme, më bën të ndihem e fryrë, me dhimbje, me të përziera dhe shumë luhatje emocionale”, pati shkruar ajo më parë.
Bieber i ka inkurajuar gratë që po përballen me të njëjtin problem, duke iu thënë se “do t’ia dalim”.
Kjo nuk është hera e parë që ylli flet hapur për shëndetin e saj. Ajo më parë ka zbuluar se kishte bërë operim në zemër, pasi ishte përballur me simptoma të ngjashme me sulmin në tru si pasojë e një mpiksjeje gjaku.
Në një video në YouTube, ajo u shpreh falënderuese që mjekët arritën ta diagnostikonin në kohë.
“Jam me fat që u zbulua dhe që po marr kujdesin e duhur”, pati shkruar ajo.
Edhe bashkëshorti i saj, këngëtari, Justin Bieber, e ka përshkruar atë përvojë si “shumë e frikshme”.
“E di që Zoti e mban në pëllëmbë të dorës”, pati thënë këngëtari, duke shtuar se gruaja e tij është “e fortë dhe mirë”.
Hailey dhe Justin u martuan në vitin 2018 dhe në muajin gusht të vitit 2024, u bënë prindër për herë të parë, duke mirëpritur djalin e tyre, Jack.