Yolanda Saldívar, gruas së dënuar për vrasjen e ikonës së muzikës meksikane tejano, Selena Quintanilla-Pérez, i është refuzuar kërkesa për lirim me kusht dhe do të vazhdojë të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. Këngëtrarja ishte vrarë në një motel në Teksas në vitin 1995. Gjykata e Apelit në Teksasit njoftoi këtë vendim të enjten, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Saldívar, 64 vjeçe, ka kërkuar lirim me kusht për herë të parë që nga vrasja e Quintanilla-Pérezit, këngëtares e cila ishte shumë e njohur mes fansave me emrin Selena.
Selena, një nga artistet e para me prejardhje meksikano-amerikane që shpërtheu në skenën muzikore ndërkombëtare, hapi rrugën për gratë në muzikën latine. Ajo ishte vetëm 23 vjeçe dhe në prag të kalimit në një karrierë të suksesshme ndërkombëtare në muzikën pop kur u vra.
Familja e këngëtares dhe bashkëshorti i saj, Chris Pérez, shprehën mirënjohjen për vendimin e gjykatës.
“Ndërsa asgjë nuk mund ta kthejë Selenën, ky vendim riafirmon që drejtësia vazhdon të qëndrojë për jetën e bukur që na u mor dhe që iu mor miliona fansave në mbarë botën shumë herët”, kanë thënë ata në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale.
Në shpjegimin e vendimit për refuzimin e lirimit me kusht, gjykata ka theksuar se Saldívar vazhdon të paraqesë një kërcënim për sigurinë publike dhe se natyra e krimit tregon një “mosrespekt të vetëdijshëm për jetët, sigurinë dhe pronën e të tjerëve”.
Saldívar, e cila po vuan dënimin në një burg në Gatesville, do të mund të kërkojë përsëri lirim me kusht në vitin 2030.
Yolanda Saldívar kishte themeluar klubin e fansave të Selenës dhe ishte menaxhere e dyqaneve të modës të këngëtares, “Selena Etc.”, deri sa u shkarkua në muajin mars të vitit 1995 pasi u zbulua se kishte vjedhur para.
Selena, që ishte nga Corpus Christi, u qëllua në shpinë me revole të kalibrit .38 në motelin “Days Inn” në Corpus Christi më 31 mars 1995. Këngëtarja arriti të ecte deri në hollin e motelit, ku u rrëzua dhe u konfirmua e vdekur në spital një orë më vonë.
Dëshmitarët nga moteli kanë thënë se Selena kishte përmendur emrin “Yolanda” në “dhomën 158” si sulmuesen e saj.
“Nuk doja ta bëja. Nuk doja të vrisja askënd”, ka thënë Saldívar, duke qarë gjatë një takimi 9-orësh me policinë. Ajo u ka thënë oficerëve se kishte blerë revolen për të vrarë veten.
Mbi 50,000 njerëz u mblodhën për të parë trupin e Selenës para se ajo të varrosej në Parkun Memorial Seaside më 3 prill të vitit 1995, vetëm 13 ditë para ditëlindjes së saj të 24-të.
Gjykimi i Saldívar u transferua në Huston për shkak të publicitetit të madh që mori rasti. Saldívar dëshmoi se kishte pasur qëllim të vriste veten gjatë përballjes me Selinën, por arma kishte shpërthyer gabimisht.
Më 23 tetor të vitit 1995, një juri e shpalli Saldívar fajtore për vrasje të shkallës së parë. Ajo u dënua me burgim të përjetshëm me mundësinë për lirim me kusht pas 30 vjetësh.
Gjatë kohës së saj në burg, Saldívar, një ish-infermiere, mori një diplomë të asociuar në drejtësinë penale. Kjo do të thotë se ajo ka arritur kualifikim profesional që përgatit individët për të punuar si ndihmës ligjorë në fushën e drejtësisë.
Ajo ka bërë disa ankesa për shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë trajtim të keq nga sistemi i burgjeve të shtetit, sipas dosjeve të gjykatës dhe gjithashtu ka ndihmuar të tjerët që të dorëzojnë peticione.
Në dokumentet e gjykatës nga viti 2016, Saldívar ka thënë se mbahej në ndalim të veçantë, domethënë ishte e ndarë nga të tjerët, për shkak të shqetësimeve të autoriteteve të burgut për sigurinë e saj për shkak të natyrës “të profilizuar” të rastit të saj. Ajo ka paraqitur disa ankesa për dënimin e saj, por të gjitha janë hedhur poshtë.
Një nga artistet më të njohura të muzikës tejano, Selena, ka fituar një çmim “Grammy” dhe u bë figurë e dashur gjatë bumit të muzikës tejano në fillim të viteve 1990. Hitet e saj përfshijnë “Bidi Bidi Bom Bom,” “Como la Flor,” “Amor Prohibido,” “No Me Queda Mas,” dhe “Tu Solo Tu”.
Selena ka hapur rrugën për një gjeneratë të re artistësh latinë që do të kishin popullaritet të madh me audiencat amerikane kryesore. Ajo shpesh këndonte në spanjisht dhe fliste në anglisht, duke pasqyruar një identitet ndërkulturor që u transmetohej shumë dëgjuesve.
Albumi i saj në gjuhën angleze, “Dreaming of You”, i publikuar disa muaj pas vdekjes së saj, u ngjit në krye të toplistës Billboard 200 dhe përfshinte hitet “I Could Fall in Love” dhe “Dreaming of You.”
Këngëtarja e njohur me famë botërore, me prejardhje latine, Jennifer Lopez, e ka luajtur rolin e Selenës në filmin biografik të vitit 1997, “Selena”.
Traileri i filmit “Selena”:
Në vitin 2021, akademia e muzikës, “Grammy” i ka dhënë Selenës një çmim post-mortum për arritje të përjetshme.