Aktori francez Gérard Depardieu po përballet me gjyqin për akuza të ngacmimit seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts” (“Dritaret e Gjelbra”) në vitin 2021, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Depardieu, 76 vjeç, akuzohet se ka ngacmuar një punonjëse 54-vjeçare të stafit teknik dhe një asistente regjisore 34-vjeçare, duke bërë komente të pahijshme dhe duke i prekur në mënyrë të papërshtatshme. Prokuroria pretendon se në një rast, ai e ka bllokuar njërën prej tyre me këmbët e tij dhe më pas e ka prekur në prani të anëtarëve të tjerë të stafit. Identitetet e viktimave nuk janë bërë publike me qëllim për t’i mbrojtur ato.
Depardieu i ka mohuar akuzat.
“Kurrë, por kurrë, nuk kam abuzuar me një grua”, pati shkruar aktori në një letër të hapur, e cila u botua në gazetën Le Figaro në muajin tetor vitit 2023.
Gjyqi fillimisht ishte parashikuar të zhvillohej në muajin tetor të vitit 2024, por u shty për shkak të problemeve shëndetësore të aktorit. Avokati i tij, Jérémie Assous, ka deklaruar se Depardieu ka kaluar një operacion të rëndë në zemër dhe vuan nga diabeti. Pavarësisht kësaj, një ekspert mjekësor i caktuar nga gjykata ka konfirmuar se ai është në gjendje të marrë pjesë në gjyq.
Kjo është hera e parë që Depardieu, një nga aktorët më të njohur të Francës, përballet me gjyq për akuza të tilla. Në të kaluarën, rreth 20 gra kanë bërë akuza për sjellje të papërshtatshme ndaj tij, por asnjë rast tjetër nuk ka arritur në gjykatë, kryesisht për shkak të mungesës së provave ose skadimit të afateve ligjore.
Dëshmitarët pritet të dëshmojnë gjatë dy ditëve të gjykimit, ndërsa vendimi përfundimtar mund të mos shpallet menjëherë, sipas Associated Press.