Një gjykatës nga New Yorku ka mohuar kërkesën që avokatët e reperit, P.Diddy, i kanë bërë gjykatës, në mënyrë që të krijohej një urdhër që ndalon rrjedhjen e informatave të rastit të tij nëpër media.
Ditë më parë, gjykatësi Arun Subramanian i është përgjigjur negativisht kërkesës që ka bërë ekipi i avokatëve mbrojtës, të “ikonës globale”, P.Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs.
Ani pse gjykatësi ka refuzuar ta krijonte këtë lloj ndalese, mediumi Page Six ka shkruar se ai ka bërë një tjetër urdhër, përmes së cilit ndalon hetuesinë që të rrjedhë informatat e marra nga juria, të cilat do të mund të interferonin në gjykim të drejtë.
“Për të qenë i qartë, ky urdhër nuk bazohet në asnjë konstatim se ka pasur ndonjë shkelje deri më tani, pasi gjykata nuk ka bërë asnjë konkludim në lidhje me pretendimet e të akuzuarit, i cili pretendon se janë rrjedhur informacione në lidhje me rastin. Ky urdhër është bërë që të ndihmohet të nënkuptohet se nga tash e tutje çdo gjë që ndodh në lidhje me rastin nuk do të interferojë në gjykim”, ka shkruar Subramanian.
Ndërkohë ekipi mbrojtës i Combs, ka refuzuar kërkesën për komente.
Kjo gjë vjen pasi avokati mbrojtës i Combs, Mark Anganiello, i ka akuzuar autoritetet se e kanë publikuar një video, ku shihet Combs duke sulmuar fizikisht, ish të dashurën e tij, këngëtaren Cassie, në korridorin e një hoteli.
Video e kamerave të sigurisë së hotelit InterContrinental, në të cilën shihet Combs, në vitin 2016, duke e rrahur në mënyrë brutale ish të dashurën e tij për dhjetë vite, këngëtaren me emrin Cassandra Ventura, është publikuar nga mediumi i njohur CNN.
Sidoqoftë, autoritetet e kanë mohuar se videon në fjalë e kanë rrjedhur në media.
“Qeveria nuk e kishte nën posedim videon në fjalë, para se të publikohej nga CNN”, thuhej në deklaratën e tyre.
Babai i shtatë fëmijëve, i cili, që nga viti i kaluar ka marrë akuza të vazhdueshme për krime seksuale, aktualisht ndodhet në qendrën e paraburgimit në Brooklyn të New Yorkut.
Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh.
Gjykimi ndaj tij pritet të nisë në muajin prill të vitit të ardhshëm.