Showbiz

Gigi Hadid s’lodhet duke e parë veten në ballina të revistave

Gigi Hadid

Gigi Hadid

Foto: Associated Press

Modelja e njohur Gigi Hadid ka rrëfyer se çdo herë që sheh një ballinë të vjetër të revistave me fytyrën e saj, futet në kujtime të bukura nga ato momente.

29-vjeçarja, e cila së fundi u shfaq sërish në ballinën e prestigjiozes Vogue, dhjetë vjet pas paraqitjes së saj të parë, ka thënë se këto imazhe për të nuk janë thjesht fotografi, por pjesë të një përvoje më të thellë emocionale, ka raportuar FemaleFirst.

“Kur shikoj një ballinë të vjetër, e ndiej si të rikthehem në atë moment. Më kujtohet hapësira ku isha, si më shikonte fotografi, njerëzit që më rrethonin, ditët dhe udhëtimet që çuan në ato fotografi. Jo, nuk lodhem duke i parë”, ka thënë ajo në emisonin the “Tonight Show” me komedianin Jimmy Fallon.
 

Në vitin 2022, Hadid ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në industrinë e modës duke themeluar brendin e saj të veshjeve, “Guest In Residence”. Ajo e ka përjetuar këtë eksperiencë si një sfidë të bukur dhe personale.

“Kur dizajnoj, nuk mendoj për veten si një figurë publike me shkëlqim që të gjithë e shohin, sepse shumicën e kohës nuk jam ajo. Shumë nga ato gjëra mahnitëse që i vesh, i huazoj – rrallëherë i mbaj. Gardëroba ime është ajo që njoh dhe dua: bazike klasike, të cilave u jap një prekje argëtimi”, pati thënë ajo në një intervistë për Net-a-Porter.

Përmes këtij procesi kreativ, Hadid ka thënë se ka zbuluar edhe shumë gjëra për veten.

“Mësova që jam paksa ‘people-pleaser’, person që dëshiron t’ua bëj qejfin të tjerëve, dua t’i kënaq të gjithë. Por kam mësuar gjithashtu të jem më e vendosur. Të jesh e vendosur nuk do të thotë se je... e vështirë. Për sa kohë që nuk je e pasjellshme, mund të thuash atë që ndien, dhe nganjëherë duhet ta bësh këtë për të çuar punët përpara”, ka thënë modelja.

Ajo ka shtuar se, për të, është e rëndësishme që puna të sjellë edhe kënaqësi.

“Dua të bëj gjëra që janë të reja dhe emocionuese, ku të gjithë ndihen të përmbushur dhe të kenë ndjesinë që atë ditë kanë bërë diçka argëtuese”, ka thënë Hadid.