Kur “Miu Miu” shfaqi koleksionin e fundit për vjeshtën 2023 kemi vërejtur përdorimin e minifundeve, xhaketave transparente, por një element që ka befasuar publikun ishte përdorimi i madh i geteve në sfilatë.
Disenjatorja Miuccia Prada guxoi të vendosë si veshje elegante kombinimin në mes një duksi dhe geteve me aksesor të rëndë.
Ky nuk ishte brendi i vetëm që i përdori getet si diçka të domosdoshme për një dukje më luksoze.
“Saint Laurent”, “Blumarine”, dhe “Ferragamo” janë disa brende të tjera që vendosën një element më sportiv në koleksionet e tyre. “Për t’i shndërruar getet në diçka shumë elegante dhe në fakt ia dolën që të ndryshojnë perceptimin e njerëzve për këtë veshje”, shkruan revista “Vogue”
Në koleksionin e shfaqur nga “Blumarinë” getet ishin nga materiali metalik dhe më shumë për veshje festash, të njëjtat të kombinuara me një minifund ose fustan.
Na pëlqejnë apo jo getet, që në vitin 2010 ishin trendi më i keq, këtë vit ato janë pjesë e trendëve më “in”.
Sa i përket historikut të tyre, getet debutimin e parë e kishin në vitin 1950, kur Joseph Shivers i krijoi ato me material platike. Kurse në vitet ‘80 ato u përdorën në veshje të stilit rock e kjo pasi Olivia Newton-John i kombinoi një palë gete të zeza me një xhaketë lëkure.
Një tjetër përfitim që kanë getet është se ato mund t’i gjeni me çmim shumë të volitshëm.