Showbiz

Clooney: Në 10 vjet martesë me Amalin nuk jemi grindur asnjëherë

George dhe Amal Clooney

George dhe Amal Clooney

Foto: Associated Press

Aktori George Clooney ka treguar se martesa e tij me avokaten e njohur Amal Clooney është ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur në jetë. Aktori 63-vjeçar dhe bashkëshortja e tij janë të martuar prej vitit 2014, dhe sipas tij, për 10 vjet ata nuk janë grindur asnjëherë.

Ai këtë e ka thënë gjatë një interviste me gazetaren Gayle King në emisionin CBS Mornings, ka raportuar The Cut.

“Më kujtohet që kemi qenë këtu më parë dhe thamë se nuk jemi zënë kurrë. Ende është ashtu. Po përpiqemi të gjejmë ndonjë gjë për t'u zënë!”, ka thënë Clooney

Ai shtoi se ndihet me fat çdo ditë që e ka Amalin në jetën e tij.

“Ndjej sikur kam fituar llotarinë. Nuk kalon asnjë ditë pa menduar se jam njeriu më me fat në botë. Kështu që është fantastike”.

Çifti ka dy fëmijë, binjakët Alexander dhe Ella, që tashmë janë shtatë vjeç, dhe aktori ka thëse ata i bëjnë ditët edhe më të bukura.

“Janë në një moshë shumë të mirë, gati tetë vjeç. Janë kureshtarë dhe qesharakë. Çdo prind mendon se fëmijët e tij janë të mrekullueshëm, por tanët na bëjnë të qeshim shumë”, ka thënë ylli.

Kjo nuk është hera e parë që Clooney e përmend faktin që çifti nuk janë zënë kurrë. Në shtator të vitit 2022, po në CBS Mornings, ai e pati quajtur martesën me Amalin “gjënë më të lehtë në jetën e tyre”.

“Si, gjëja më e lehtë në jetën tonë. Pa diskutim. Nuk kemi pasur asnjëherë zënka”, pati thënë ai.

Amal e konfirmoi këtë me humor, duke thënë se “disa nga miqtë tanë e kanë të vështirë ta pranojnë. Kam një kushëri që sa herë na sheh, pyet: ‘A jeni zënë më në fund?’, madje para se të na përshëndesë”.

Gazetarja Gayle King pati reaguar e habitur duke i pyetur se a e kanë seriozisht.

Edhe gjatë pandemisë në vitin 2020, Clooney kishte thënë se izolimi nuk e kishte vënë në provë martesën e tyre, siç ndodhi me shumë çifte të tjera.

“Ndihem me shumë fat që e kam njohur. Nuk jemi zënë asnjëherë. E di që shumë marrëdhënie u vështirësuan nga pandemia, por për ne ishte shumë e lehtë”, ka thënë ndër të tjera aktori.