Showbiz

Clooney zbulon pse bashkëshortja e tij mungoi në debutimin e tij në teatër

George Clooney

George Clooney ka ndryshuar pamje, ka lyer flokët për të luajtur rolin e gazetarit legjendar Edward R. Murrow

Foto: Associated Press

Amal Clooney nuk ishte e pranishme në natën e parë të shfaqjes teatrale të bashkëshortit të saj, aktorit të njohur George Clooney. Sipas Clooneyt ajo qëndroi në shtëpi për t'u kujdesur për fëmijët e tyre. 
Ndërkohë, një numër yjesh të njohur si Jennifer Lopez, Cindy Crawford dhe Uma Thurman ishin të pranishëm në publik.

Aktori 63-vjeçar, i cili është i martuar me avokaten e të drejtave të njeriut Amal Clooney, 47 vjeçe, që nga viti 2014 dhe ka binjakët 7-vjeçarë, Ella dhe Alexander, debutoi në teatër me shfaqjen “Good Night, and Good Luck” të enjten më 3 prill 2025.

“Ajo është me fëmijët”, ka thënë Clooney, ka raportuar People.

Më herët, në një intervistë për The Late Show with Stephen Colbert, ylli i filmit “Ticket to Paradise” kishte shpjeguar se orari i shfaqjes teatrale i mundëson atij të kalojë kohë me fëmijët gjatë ditës.

“Në fakt, një shfaqje teatrale ka orar të mirë, sepse punon në mbrëmje. I shoh fëmijët gjatë ditës, kështu që është në rregull”, pati thënë aktori.

Clooney, i njohur edhe nga seriali “ER”, u shpreh i emocionuar për rikthimin e tij në skenë dhe për herë të parë në teatër.

Pamje nga shfaqja “Good Night, and Good Luck”

“Është nder për mua, pas kaq shumë vitesh, të rikthehem në skenë dhe në veçanti në teatër, vendin ku aspiron çdo aktor”, ka thënë ylli.

Në shfaqje, Clooney luan rolin e gazetarit legjendar Edward R. Murrow, një figurë që në versionin filmik të vitit 2005 u interpretua nga aktori David Strathairn. Në atë film, Clooney kishte luajtur rolin e kolegut të Murrow, Fred W. Friendly. Kësaj radhe, ai ka bashkëshkruar skenarin për shfaqjen me bashkëpunëtorin e kahershëm, Grant Heslov, ndërsa regjia i është besuar David Cromer.

“Edward R. Murrow vepronte me një qartësi morale që sot duket gjithnjë e më e rrallë në peizazhin mediatik. Ka një ndjesi urgjence në ato transmetime televizive të hershme që mund të përcillet realisht vetëm në skenë, përpara një audience të gjallë”, ka thënë Cromer për Murrow.

Drama historike përqendrohet në vitet '50 në SHBA dhe në përplasjen mes gazetarit Murrow dhe senatorit të fuqishëm Joseph McCarthy.

Clooney ka ndjekur shembullin e yjeve të tjerë të Hollivudit, si Steve Carell dhe Rachel McAdams, të cilët gjithashtu debutuan në teatër vitin e kaluar pas një karriere të gjatë në kinematografi.