Showbiz

George Clooney dhe Patti LuPone: Arti, politika dhe betejat në Broadway

George Clooney dhe Patti LuPone

George Clooney dhe Patti LuPone në ballinën e revistës Variety

Në një bisedë të hapur për rubrikën e njohur “Actors on Actors” të revistës “Variety”, aktori George Clooney dhe legjenda e teatrit Patti LuPone trajtuan tema që përfshijnë sfidat në teatër, ndikimin e epokës presidentit amerikan, Donald Trump dhe rolin e figurave si Elon Musk në debatin publik.

George Clooney dhe Patti LuPone. Fotografi nga Emilio Madrid për Variety

Clooney, që për herë të parë doli në skenën teatrale me rolin e gazetarit legjendar Edward R. Murrow në adaptimin teatror të filmit “Good Night, and Good Luck”, u shpreh se angazhimi i tij shkon përtej aktrimit. Ai ka kërkuar drejtësi financiare për të gjithë aktorët. 

“Nuk dua të jem askund afër aktorit më të paguar në teatër”, ka thënë ai, duke nënvizuar nevojën për barazi në pagesa.

LuPone e përkrahu menjëherë.

“E çmoj këtë. Sepse ne nuk paguhemi mirë. Sinqerisht, nuk ka kuptim”, ka thënë ajo.

Të dy aktorët folën me pasion për rolin e artit në kohë krizash.

Sipas LuPone, “arti duhet të jetë zëri, para se të mbytet zëri”, kurse Clooney ka shtuar se “teatri reagon më shpejt se filmi”, dhe se kjo i jep forcë të veçantë për të reflektuar mbi realitetin që po jetojmë.

Megjithatë biseda nuk ndaloi te teatri. 

Clooney ka kritikuar fuqishëm përhapjen e dezinformatave në rrjetet sociale dhe veçanërisht mënyrën se si algoritmet nxisin përçarje. Ai ka përmendur edhe miliarderin, Elon Musk, duke e akuzuar se ka shpërndarë postime që mohojnë Holokaustin. 

“Nëse e shpërndan, e ke bërë tënden. Nuk mund të thuash ‘nuk jam dakord’, por pastaj ta amplifikosh një ide të tillë. Është e rrezikshme”, ka thënë aktori.

LuPone në anën tjetër , ka treguar për një incident që e përshkruan më së miri pasionin e saj për teatrin.

“Njëherë, dikush po shkruante mesazhe gjatë shfaqjes. I mora telefonin. E palosa në pëllëmbën time si një kartë krediti dhe e çova në prapaskenë”, ka thënë ajo, duke shtuar se kjo tregon sa i shenjtë është momenti i teatrit për të.

Në fund, Clooney u shpreh i bindur se Amerika do të gjejë forcën për të dalë nga polarizimi dhe konfliktet.

“Ne kemi kaluar kohë të vështira më parë. Jemi përballur me periudha të errëta. Por gjithmonë kemi gjetur ‘engjëjt tanë më të mirë’. Dhe do t’i gjejmë përsëri”, ka thënë ndër të tjera ylli.