Showbiz

G-Dragon rikthehet pas 11 vjetëve me albumin “Übermensch”

G-Dragon

Pionieri i muzikës K-pop, G-Dragon, i ka dhënë fund shkëputjes nga kjo industri me lansimin e një albumi të ri të incizuar në studio të titulluar, “Übermensch”. Projekti u lansua të martën dhe e shënon një rikthim domethënës të artistit me ndikim të madh.

Këngëtari, që po ashtu shquhet si vokalist i bendit “BIGBANG”, emri i vërtetë i të cilit është Kwon Ji-yong, në të njëjtën ditë me publikimin e albumit ka vendosur t’i lansojë edhe dy këngë të reja me videoklip, “Drama” dhe “Too Bad”. Kjo e fundit vjen në bashkëpunim me artistin amerikan të shpërblyer me “Grammy”, Anderson Paak.

Albumi “Übermensch” vjen pas atij të vitit 2013, “Coup d'Etat”, ani pse G-Dragon e kishte publikuar një EP në vitin 2017, të cilën e kishte titulluar sipas emrit të tij të vërtetë.

“’Übermensch’ e përfaqëson një individ që e tejkalon vetveten. Ky album mishëron idenë për të paraqitur një version më të fuqishëm dhe më elastik të vetes para publikut. Shpresoj që kjo forcë të rezonojë me fansat e mi përmes muzikës sime”, tha G-Dragon në një deklaratë për shtyp.

Artisti 36-vjeçar po ashtu do ta realizojë një turne botëror, duke filluar me dy koncerte të shumëpritura nga fansat në stadiumin “Goyang” në Seoul, më 29 dhe 30 mars. Ky do të jetë koncerti i tij i parë si solo artist në tetë vjetët e fundit.

Duke qenë një forcë muzikore që nga mosha 13-vjeçare, G-Dragon, gjatë karrierës ka realizuar këngë të cilat kanë më shumë se dy miliardë transmetime nëpër platformat muzikore. Po ashtu ka bashkëpunuar me artistë të shquar të muzikës si, Diplo, Missy Elliott dhe Skrillex. Përtej muzikës, ai është shndërruar në një ikonë të modës duke bashkëpunuar me marka të njohura botërore.