Në Festivalin e Filmit “Sundance”, një film i zhanrit mjuzikëll me aktoren e njohur Jennifer Lopez, mori vëmendjen e publikut me shumë duartrokitje për aftësitë e saj të këndimit dhe kërcimit.
“Kiss of the Spider Woman”, i përshtatur nga regjisori dhe skenaristi Bill Condon, nuk është film tipik për “Sundance”, pasi është mjuzikëll me stil klasik, por sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, pikërisht ky zhanër i ka dhënë shije të veçantë ngjarjes.
Lopez luan rolin e një ikone të vjetër të Hollywoodit në një film brenda filmit në fjalë, dhe publiku në sallën “Eccles” që ishte e mbushur plot, ka reaguar me duartrokitje të shumta pas çdo performance të saj. Ajo u ngrit në këmbë, dhe me emocion tha se “e ka pritur këtë moment tërë jetën”.
Historia, që përqendrohet në bisedat mes dy të burgosurve në një burg argjentinas, është një përshtatje nga romani i Manuel Puigit i vitit 1976, i cili ka pasur përshtatje të ndryshme për skenë teatrale dhe ekran. Filmi i vitit 1985 me William Hurtin dhe Raul Julian ka pasur sukses të madh dhe i siguroi Hurtit çmimin “Oscar”. Në Broadway, “Kiss of the Spider Woman” ka fituar shumë çmime “Tony”.
Përshtatja e re e Condonit përfshin një dimension të thellë për sa i përket identitetit gjinor. Personazhi Luis Molina, i tregon Valentin Arreguit (personazhit të luajtur nga Diego Luna) se nuk ndihet as si burrë, as si grua, dhe kjo gjë Valentinit i duket e çuditshme në fillim, por më pas e kupton. Kjo pjesë e filmit u shoqërua me një diskutim të thellë mbi tolerancën dhe identitetin gjinor pas shfaqjes.
Condon ka theksuar se filmi ka për qëllim t’i lidhë dallimet e mëdha njerëzore, duke kritikuar qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump për dy gjinitë.
“Ky është një qëndrim që filmi e shpërfaq ndryshe”, ka thënë Condon.
Tonatiuh, aktori që luan rolin e Luis Molinas, ka ndarë gjithashtu përvojën e tij si një “femme queer Latin kid” dhe vështirësitë me përballjen me një kulturë që nuk i mbështet këto identitete.
Ai ka shprehur se ky rol ishte mundësi për të treguar spektrin e plotë të identitetit gjinor, nga më femërorja deri te më mashkullorja.
Në fund, të gjithë ishin të emocionuar për mundësinë që ka ofruar mjuzikëlli në fjalë.
“E kam shkruar vetë frazën: ‘ndihem keq për ata që urrejnë mjuzikëllat’. Të gjitha ato që filmi mund t’i bëjë, mund të ndodhin në një mjuzikëll”, ka thënë Condon.
Lopez, gjithashtu, ndau emocionet e saj, duke thënë se kishte shikuar “West Side Story” çdo vit në festën e falënderimeve, gjë që e inspiroi për të bërë karrierë në artin e performancës.
“Condon realizoi ëndrrat e mia”, ka thënë Lopez në mes lotësh.