Showbiz

Filmat më fitimprurës në arkat filmike botërore për vitin 2024

“Inside Out 2”

“Inside Out 2”

Viti 2024 ka qenë më i mirë për fitimet në arkat filmike botërore, që nga goditja që Pandemia i bëri industrisë së filmit. Si duket kinemave po i kthehen shikuesit dhe kjo falë disa projekteve të lansuara që kanë arritur të sheshin bileta në numër të madh dhe të arkëtojnë miliarda e qindra miliona dollarë.

Listën, si filmi më fitimprurës i vitit 2024 e kryeson “Inside Out 2”. Ai ka arritur të shpallet kampion me gjithsej 1.6 miliardë dollarë të arkëtuara nëpër kinema. Filmi i animuar, i cili për t’u realizuar kushtoi rreth 200 milionë dollarë, është vazhdim i projektit të parë dhe e rikthen në ekran kryepersonazhin, Riley, e cila futet të fazën e pubertetit dhe fillon të përjetojë emocione të reja dhe më komplekse. Regjinë e filmit e ka bërë Kelsey Mann, derisa zërat për rolet kryesore i kanë huazuar aktorë të tillë si, Amy Poehler, Maya Hawke, Kensington Tallman dhe të tjerë.

Filmi i dytë i vitit 2024 për nga shikueshmëria është “Deadpool & Wolverine”. I realizuar me një buxhet prej 200 milionë dollarësh, projekti i fundit që i ktheu në ekran dy superheronjtë e dashur nga publiku, ka arritur t’i arkëtojë gjithsej 1.3 miliardë dollar nga shitja e biletave. Në këtë vazhdim të ri, kryepersonazhit Deadpool i ofrohet një vend në Universin Kinematik Marvel nga Time Variance Authority, por në vend të kësaj ai e rekruton superheroin kontrovers, Wolverine, për të shpëtuar universin nga zhdukja. Shawn Levy e ka bërë regjinë e projektit në të cilin luajnë aktorët yje të Hollywoodit: Ryan Reynolds, Hugh Jackman, Emma Corrin, Morena Baccarin, Rob Delaney, Leslie Uggams, Karan Soni dhe Matthew Macfadyen.

Në vendin e tretë radhitet filmi shumë i dashur nga fëmijët, “Despicable me 4”. Nga shfaqja nëpër kinematë anekënd botës, ky projekt ka arritur të shes bileta në vlerë prej 969 milionë dollarësh. Në vazhdimin e katërt të filmit të studios “Universal Pictures”, kryepersonazhet Gru, Lucy, Margo, Edith, dhe Agnes e mirëpresin një anëtar të ri në familje, Gru Jr., i cili ka për qëllim të mundojë babanë e tij. Gru përballet me një armik të ri, Maxime Le Mal dhe të dashurën e tij Valentina, dhe familja detyrohet të shkojë në arrati. Regjinë e tij e kanë bërë Chris Renaud dhe Patrick Delage, kurse zërat për personazhet kryesore i kanë huazuar aktorët yje, Steve Carell, Kristen Wiig dhe Pierre Coffin.

Një tjetër filmi i animuar ka arritur të jetë pjesë e top-pesëshes së filmave më të shikuar dhe më fitimprurës për vitin 2024, dhe ai është “Moana 2”. Vazhdimi i dytë në serinë e filmave shumë të dashur familjarë, pozicionohet në vendin e katërt me 807 milionë dollarë të fituara në arkat filmike botërore. Ai e rikthen në ekran historinë e Moanas, e cila pasi pranon një thirrje të papritur nga paraardhësit e saj,  detyrohet ta nis një rrugëtim të ri në detëra të largëta dhe të rrezikshme, për një aventurë ndryshe nga ajo që ka përjetuar më parë në jetën e saj. Regjinë e tij e kanë bërë, David G. Derrick Jr., Jason Hand dhe Dana Ledoux, ndërsa pjesë e kastës së aktorëve janë: Auli’i Cravalho, Dwayne Johnson, Hualalai Chung dhe të tjerë.

I pesti në listë renditet filmi “Dune: Part Two”, me gjithsej 714 milionë dollarë të fituara nga shfaqja nëpër kinematë botërore. Filmi i adaptuar nga romani fantastiko-shkencor i Frank Herbertit, u realizua nga regjisori i famshëm dhe vizionar, Denis Villeneuve. Në këtë vazhdim të dytë, kryepersonazhi, Paul Atreides, rikthehet më i pjekur dhe më i guximshëm se kurrë. Ai tashmë e ka filluar një jetë të re në mesin e njerëzve nga shkretëtira, si dhe e ka ndërtuar një raport më të afërt me luftëtaren Chani. Artreides synon të marr hak kundër komplotistëve që shkatërruan familjen e tij dhe kështu detyrohet të përballet me një zgjedhje midis dashurisë së jetës dhe fatit të universit. Në rolet kryesore edhe njëherë vijnë aktorët e famshëm të Hollywoodit, Timothée Chalamet, Zendaya dhe Rebecca Ferguson.

Në top-dhjetëshe për nga shikueshmëria nëpër kinematë botërore përfshihen edhe filmat, “Wicked” me 581 milionë dollar të arkëtuara, “Godzilla x Kong: The New Empire” me 572 milionë dollar të fituara, “Kung Fu Panda 4” me shitje të biletave në vlerë prej 548 milionë dollarësh, “Venom: The Last Dance” me arkëtimin e 475 milionë dollarësh dhe “Beetlejuice Beetlejuice” me gjithsej 451 milionë dollarë të fituara.