Fëmijët e reperit, Sean Combs të cilët i ka me ish partneren, tashmë të ndjerën Kim Porter, po flasin për herë të parë pas spekulimeve se ka një libër që po qarkullon online për vdekjen e saj.
Quency Brown, 33 vjeç, Christian 27 vjeç dhe binjaket Jessie dhe D’Lila Combs, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në rrjete sociale rreth nënës së tyre, Porter, e cila vdiq në vitin 2018 në moshën 47-vjeçare, shkruan CNN.
“Kemi parë shumë gënjeshtra që na kanë lënduar për marrëdhënien e prindërve tanë, Kim Porter dhe Sean Combs, si dhe për vdekjen tragjike të nënës tonë, për të cilën e kemi të nevojshme të flasim. Pretendimet se nëna jonë ka shkruar një libër janë thjesht të pavërteta. Ajo nuk ka shkruar libër”, thuhet në deklaratën e gjatë të fëmijëve.
Ata kanë thënë se çdokush që pretendon se ka kopje të këtij libri është duke gënjyer.
“Kim’s Lost Words: A journey for justice, from the other side”, titullohet libri i publikuar i cili është bërë bestseller në Amazon si libër kujtimesh i Porterit.
Debati për shkaqet e vdekjes së Porterit ka vërshuar rrjete sociale dhe fëmijët e saj po i kundërshtojnë këto spekulime.
“Ishte tejet e vështirë të pranohet se si ishte e mundur që të vdiste kaq herët, shkaqet e vdekjes ka kohë që dihen, nuk ka pasur asnjë manipulim”, thuhet tutje në deklaratë.

Vdekja e Porterit mendohet të ketë ndodhur për shkak të sëmundjes së pneumonisë, ndërkohë që kohët e fundit tragjedia ka nisë të ripërfolet për shkak të telasheve që Sean Combs, i njohur si P.Diddy, ka me ligjin.
Fëmijët kanë kritikuar gjithashtu edhe ata që sipas tyre po shpërndajnë informacione të pasakta mbi humbjen e nënës së tyre.

“Ne jemi tejet të prekur se si bota ka krijuar spektakël nga ajo që për ne ishte tejet tragjike. Nëna jonë duhet të kujtohet si grua e bukur, e fortë, e këndshme dhe e dashur. Kujtimi i saj nuk duhet ndotur me teori të tmerrshme konspirative”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e fëmijëve, të cilët nuk i përmendën problemet ligjore të babait të tyre.
Combs dhe Porter ishin në lidhje nga viti 1994 deri më 2007 dhe bashkë kanë djalin, dhe dy vajzat binjake, ndërkohë që djalin Quency Brown, të cilin Porter e kishte me këngëtarin Al B.Sure, Combs i ndihmoi ta rriste.
Biznesmeni e producenti i njohur mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor ndaj të gjitha akuzave të një mori padish kundër tij, ku akuzohet për shantazh, konspiracion, trafikim seksual, prostitucion e drogim, ndaj të cilave është deklaruar i pafajshëm, ndërkohë që lirimi me kusht i është mohuar dy herë.
