Dy fansa të Madonnës kanë hequr dorë nga padia kundër këngëtares për fillimin e njërës nga shfaqjet e saj me dy orë vonesë.
Në janar të këtij viti, Michael Fellows dhe Jason Alvarez ngritën një padi të përbashkët kundër këngëtares dhe kompanisë që organizon koncertet “Live Nation”, pasi gjatë turneut të saj në Barclays Centre më 13 dhjetor ajo kishte dalë në skenë në orën 22:30, raporton The Guardian.
Paditësit kanë argumentuar se nuk do të kishin blerë bileta për turneun e saj “Celebrations” nëse do ta dinin që performanca e saj nuk do të fillonte deri në orën 22:30, duke thënë se largimi nga vendi i ngjarjes në orën 1:00 të mëngjesit i kishte lënë ata "të bllokuar" me opsionet e "transportit publik të kufizuar". Sipas tyre, kjo kishte ndikuar në shpenzimet e tyre të përgjithshme.
Ndërsa koncerti binte të mërkurën, paditësit kanë argumentuar gjithashtu se vonesa i kishte lënë ata me më pak gjumë kur duhej "të ngriheshin herët për të shkuar në punë dhe/ose të kujdeseshin për përgjegjësitë e tyre familjare të nesërmen".
Ata akuzuan këngëtaren, "Live Nation" dhe Qendrën "Barclays" për “praktika të pandërgjegjshme, të padrejta dhe/ose mashtruese”, duke thënë se përbënin një shkelje të kontratës dhe reklama të rreme.
Madonna dhe “Live Nation” më vonë kanë deklaruar se koncerti kishte filluar me vonesë për shkak të një problemi teknik.
Por bazuar në dokumentet gjyqësore të paraqitura të mërkurën, Fellows dhe Alvarez e hodhën poshtë vullnetarisht padinë e tyre.
Jeff Warshafsky, njëri nga avokatët që përfaqëson këngëtaren dhe "Live Nation”, shkroi në një letër të mërkurën se anulimi i padisë "nuk ishte rezultat i ndonjë marrëveshjeje" midis palëve.
Avokatët e saj argumentuan gjithashtu se performanca e saj nuk u reklamua kurrë për të filluar në orën 20:30.
Madonna është përballur me padi të ngjashme edhe më parë: në vitin 2019 një fanse në Florida argumentoi se vonesa e saj në turneun “Madame X” ishte një shkelje e kontratës, dhe përsëri në vitin 2020, pati një padi të ngritur nga dy pjesëmarrës të një koncerti në Nju Jork. Të dyja paditë më vonë u pushuan vullnetarisht.
Në maj, një burrë që ndoqi një nga shfaqjet e turneut të saj “Celebrations” në Los Anxhelos ngriti gjithashtu një padi kundër këngëtares dhe “Live Nation”.
Në padi, Justen Lipeles pretendoi se Madonna kishte shfaqur gjatë koncertit "pornografi pa paralajmërim" dhe ai "ishte i detyruar të shikonte gra të zhveshura në skenë duke simuluar akte seksuale". Ai gjithashtu u ankua se koncerti filloi "më vonë" nga sa ishte paraparë, në orën 22:00.
Turneu “Celebrations” u prit mirë nga kritikët dhe audienca.
Pas 80 koncertesh dhe 225 milionë dollarësh të ardhura nga biletat, turneu përfundoi me një koncert falas në plazhin Copacabana në Rio de Zhaneiro për rreth 1.6 milionë njerëz.