Emma Heming, gruaja e aktorit Bruce Willis, ka ndarë një mesazh emocionues në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram për të shënuar 17-vjetorin e martesës së tyre, duke ndarë ndjenjën e “peshës” që ka në zemrën e saj për shkak të betejës që Willis po e zhvillon me demencën.

Ajo ka thënë se përvjetorët, që dikur ishin plot emocion dhe gëzim, tani i sjellin një “peshë” në zemër dhe një “zbrazëti në stomak”, ka raportuar Page Six.
“Përvjetorët dikur sillnin emocion, tani, po të jem e sinqertë, ato trazojnë të gjitha ndjenjat, duke lënë një peshë në zemrën time dhe një zbrazëti në stomakun tim. Ndonjëherë i ndaj 30 minuta për të ndjerë zemërim dhe hidhërim dhe them me vete: ‘pse ai, pse ne’”, ka shkruar ajo.
Emma ka shtuar tutje se ajo që ka me Brucen është dashuri e pakushtëzuar.
“Ndihem e bekuar ta njoh këtë, dhe kjo është falë tij. Do ta bëja prapë çdo herë me gjithë zemër”.

Çifti filloi të dalë bashkë në vitin 2007 dhe u martuan në vitin 2009. Ata kanë dy vajza, Mabel dhe Evelyn. Bruce Willis ka gjithashtu tri vajza nga martesa e tij e mëparshme me aktoren Demi Moore, Rumer, Scout dhe Tallulah.

Gjatë kohës që Willis po lufton me demencë, ai dhe ish-gruaja e tij, Demi Moore, kanë mbajtur marrëdhënie miqësore dhe të afërt.

Në mars të vitit 2022, familja e Bruce Willis, duke përfshirë dhe Mooren, njoftoi se ai do të largohej nga aktrimi për shkak të diagnozës me sëmundjen afasia.
Një vit më vonë, ai u diagnostikua me demencë frontotemporale.
Megjithatë, Demi Moore, tani 62 vjeçe, ka shpërndarë një mesazh shprese për ish-bashkëshortin e saj, duke thënë se ai është në një “vend shumë të qëndrueshëm”, dhe ka theksuar se, “ka humbje të madhe, por gjithashtu ka bukuri të madhe dhe dhurata që mund të vijnë nga kjo gjendje”.
“Është kaq e rëndësishme për çdo person që po përballet me këtë, që t’i takojë ata aty ku janë. Dhe nga ky vend, ka kaq shumë dashuri dhe gëzim”, pati thënë Moore.