Showbiz

“Emilia Perez”, filmi i ri biografik i Netflixit

emilia

Zoe Saldaña më së miri njihet për rolet në filma aksion me buxhet të lartë si, “Avatar” dhe “Guardians of the Galaxy”, por aktorja e cila është rritur duke vallëzuar dhe performuar në Teatro të vogla nëpër New York, thotë se ka arritur në atë pikë të jetës ku ka filluar të dëshirojë t’i rikthehet ëndrrave të hershme.

Saldaña thotë se bashkëshorti i saj, artisti Marco Perego-Saldaña, është ai i cili e ka inkurajuar ta gjej atë pjesë që i ka munguar në karrierë.

“Unë jam rritur duke vallëzuar. Jam rritur në New York dhe në skenën e teatrit muzikor. Dhe ato ishin ëndrrat e mia të para. Për shkak të aftësive që i kam mësuar për një kohë të gjatë, më është imponuar një karrierë që më mundësoi të jem pjesë e filmave si, ‘Avatar’, ‘Guardians of the Galaxy’ dhe ‘Colombiana’. Prandaj, dëshira t’i rikthehem ëndrrave të hershme më është shtuar jashtëzakonisht shumë vjetëve të fundit. Dhe bashkëshorti im, i cili është shumë ëndërrimtar, më shtyri në këtë drejtim duke më thënë të bëjë atë që dua në jetë dhe që më bën të lumtur. Po ashtu, mundësia për të punuar në Paris ishte diçka shumë e bukur. Gjithashtu mundësia për të realizuar film në gjuhën spanjolle, për kulturën e grave në Meksikë që është e mbushur me ngjyra, emocione dhe jetë. Jam vërtet shumë e lumtur”.

Saldaña qe e pranishme në premierën e filmit të ardhshëm të Neflixit, “Emilia Pérez”, në Los Angeles, së bashku me pjesën tjetër të kastës së aktoreve si, Selena Gomez, Karla Sofía Gascón dhe Adriana Paz.

“E dini çfarë është vërtetë e mrekullueshme, fakti që më duket sikur kam arritur ta rikthej një pjesë timen. Ndihesha e pikëlluar që pjesa më e madhe e punës sime ka qenë në gjuhën angleze, prandaj u ndjeva shumë mirë që pata mundësi t’i analizoja dhe të kaloja kohë me njerëz që flisnin gjuhën spanjolle përreth meje. Definitivisht më ka bërë të mendoj për familjen time”.

Gomez, e cila flet spanjisht në film dhe ka prejardhje të përzier nga Meksika dhe Italia, thotë se aktrimi në këtë film dhe fakti që ishte e rrethuar nga ekip e aktorëve që flasin gjuhën spanjolle e ka ndihmuar të ndihet më afër rrënjëve të saj.

Aktorja meksikane, Adriana Paz, thotë se nuk ka hezituar fare që të bëhet pjesë e një filmi të bazuar në Meksikë, dhe i cili është shkruar dhe realizuar nga një regjisor francez.

“Ai është një regjisor të cilin e adhuroj. I kam parë filmat e tij dhe janë aq të ndryshëm, sa nuk të besohet se janë krijuar me mjeshtëri nga i njëjti regjisor. Por, mendoj se e kanë një gjë të përbashkët e që është dashuria. Në filmat e tij shoh fuqinë e dashurisë dhe përkushtimin ndaj dashurisë, si dhe mendoj se ‘Emilia’ nuk përjashtohet nga ky grup. Kur kuptova se ishte një projekt nga Jacques Audiard dhe e lexova skenarin, nuk e dija se çfarë do të ndodhte por i thash vetes se duhet të rrezikosh sepse në të kundërtën nuk ke si të fitosh. Prandaj, rrezikova dhe doja vërtetë që të isha pjesë e këtij filmi dhe kur më përzgjodhën për rolin, u gëzova shumë”.

Filmi do të shfaqet nëpër kinema të limituara gjatë muajin nëntor, kurse në Netflix fillon së transmetuari nga 13 nëntori.