Elton John thotë se ai nuk mund të shohë, disa muaj pasi pësoi një infeksion të rëndë të syve.
Duke folur në skenë gjatë një performance gala të muzikalit "The Devil Wears Prada" në Londër të dielën, John falënderoi bashkëshortin e tij, David Furnish.
"Unë nuk kam qenë në gjendje të vij në shumë nga provat sepse, siç e dini, kam humbur shikimin", ka thënë ai.
"Kështu që është e vështirë për mua ta shoh këtë. Por më pëlqen ta dëgjoj dhe tingëllonte mirë sonte”, ka shtuar John, i cili shkroi partiturën për shfaqjen, raporton CNN.
Në një intervistë për "Good Morning America" javën e kaluar, John ka thënë se çështja ka ndikuar në aftësinë e tij për të punuar.
“Fatkeqësisht humba shikimin në syrin tim të djathtë në korrik, sepse kisha një infeksion në jug të Francës dhe kanë kaluar katër muaj që nuk mund të shoh”, ka deklaruar ai.
"Pra, ka shpresë dhe inkurajim se do të jetë në rregull, por… unë jam i bllokuar për momentin, sepse mund të bëj diçka të tillë (intervistën), por të shkoj në studio dhe të regjistroj, nuk e di, sepse nuk mund të shoh një tekst si fillim”, ka shtuar ai.
John, i cili është 77 vjeç, foli për herë të parë publikisht për problemin e tij me shikimin në shtator, kur ai ndau në faqen e tij në Instagram se po përballej “me një infeksion të rëndë të syrit që fatkeqësisht më ka lënë me shikim të kufizuar në njërin sy".
Ndonëse John është tërhequr zyrtarisht nga turnetë në vitin 2023 pas dekadash performimi live, ai shkroi muzikën për muzikalin "The Devil Wears Prada".
Teksti bazohet në romanin e vitit 2003 nga Lauren Weisberger, i cili gjithashtu u shndërrua në film në vitin 2006.