Showbiz

Elton John përballet me probleme me shikimin, ndryshon autografin

Elton John

Elton John

Foto: Associated Press

Legjenda e muzikës, Elton John, po has vështirësi për të firmosur autografe për shkak të përkeqësimit të shikimit. 77-vjeçari ka humbur shikimin në syrin e djathtë pas një infeksioni dhe, siç raporton tabloidi britanik The Sun, ai është detyruar të thjeshtojë firmën e tij për edicionin special të albumit të ri “Who Believes In Angels?”.

Tani, autografi i artistit do të përbëhet thjesht nga iniciali “E” dhe një “X”, që simbolizon një puthje.

Në dhjetor të vitit të kaluar, John ka zbuluar se nuk kishte mundur ta shikonte siç duhet mjuzikëllin e tij të ri, “The Devil Wears Prada”, por pavarësisht kësaj, ai ka vlerësuar performancën.

“Siç e dini disa prej jush, kam pasur probleme me shikimin dhe tani e kam humbur plotësisht. Nuk kam mundur ta shoh shfaqjen, por e kam shijuar”, ka thënë ai.

John  ka falënderuar bashkëshortin e tij, David Furnish, për mbështetjen e vazhdueshme:

“Për burrin tim, që ka qenë mbështetja ime, sepse nuk kam mundur të ndjek shumë prova ... Është e vështirë për mua ta shoh, por e dua muzikën dhe sonte tingëllonte e mrekullueshme. Faleminderit që erdhët!”, ka thënë ylli.

Këngëtari ka treguar se gjatë verës është përballur me një infeksion serioz që e ka lënë pa shikim në syrin e djathtë. Edhe pse ka shpresë për përmirësim, për momentin ai nuk mund të punojë në projekte të reja muzikore.

“Kam humbur shikimin në syrin e djathtë në korrik për shkak të një infeksioni. Kanë kaluar më shumë se katër muaj dhe nuk mund të shoh ende. Syri tjetër nuk është në gjendjen më të mirë. Ka shpresë për përmirësim, por për momentin jam i kufizuar. Nuk mund të shkoj në studio, sepse nuk mund t'i lexoj tekstet”, ka shpjeguar ai në një intervistë për Good Morning America.

John vazhdon të qëndrojë pranë adhuruesve dhe të punojë për albumin e tij të ri, i cili pritet të dalë më 4 prill.