Komedianja e njohur, Ellen DeGeneres dhe bashkëshortja e saj, aktorja Portia de Rossi, kanë vendosur të largohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale.
The Daily Beast ka raportuar se çifti ka shitur shtëpinë luksoze në Montecito të Kalifornisë dhe është shpërngulur në Britaninë e Madhe, pa plane për t’u kthyer në SHBA.
Një burim i aftër me çiftin ka thënë për “TheWrap” se fitorja e Trumpit ishte shkaku kryesor i vendimit dhe se çifti mund të mos kthehet më në SHBA.
Më herët, DeGeneres pati shitur një tjetër shtëpi që ka pasur në Santa Barbara për 96 milionë dollarë.
Raportohet se çifti ka blerë pronë në rajonin e Cotswolds në Britani, një zonë rurale e njohur për jetesën luksoze, i cili është destinacion i preferuar i familjeve të pasura britanike, përfshirë yjet David dhe Victoria Beckham.
Ellen DeGeneres ka qenë mjaft aktive në rrjete sociale gjatë fushatës zgjedhore dhe e ka shprehur mbështetjen e saj për kandidaten demokrate Kamala Harris.
“Nuk ka asgjë më të fuqishme se një grua kur koha e saj ka ardhur!! Po pres me padurim që Kamala Harris të bëhet presidentja jonë e ardhshme”, pati shkruar Ellen në Instagram.
Më pas, ajo ndau një video të Portia de Rossi, e cila mbante një bluzë me mbishkrimin “Kamala”, para se të mbaheshin zgjedhjet.
Në projektin e ri të saj, “For Your Approval”, të shfaqur në platformën “Netflix”, DeGeneres, ka diskutuar hapur për përvojën e saj me censurimin dhe akuzat për keqtrajtimin e stafit të programit të saj. Ajo gjithashtu ka zbuluar se kishte marrë diagnoza të reja për OCD, ADHD dhe osteoporozë.