Showbiz

Ekipi i “Oscars” shpreson që Conan O’Brien të rikthehet në vitin 2026

Conan O’Brien

Conan O’Brien

Foto: Associated Press

Komediani Conan O’Brien ka kënaqur ekipin organizues të Akademisë së Filmit, të cilët tani duan që ai të prezantojë sërish spektaklin “Oscar” vitin e ardhshëm.

61-vjeçi drejtoi ceremoninë e këtij viti të Akademisë së Filmit të dielën (2 mars 2025), dhe tani Rob Mills, zëvendëspresident ekzekutiv i “Walt Disney TV” për argëtimin alternativ dhe pa skenar”, e ka përshkruar bashkëpunimin me të si “ kënaqësi dhe privilegj”.

Monologu i O’Brien në hapjen e spektaklit:


“Kjo varet nga Conan, por ne do të donim shumë ta kishim sërish. Nuk e di nëse mund të quhet një ofertë zyrtare, por shpresoj shumë që ai të dëshirojë të rikthehet. Ishte një kënaqësi dhe një privilegj, dhe ndoshta e vetmja mënyrë për të zëvendësuar mungesën e Jimmy Kimmelit në këtë edicion”, ka thënë Mills për Variety.

Mills e lavdëroi O’Brienin për mënyrën se si “e realizoi për mrekulli” spektaklin, duke e përshkruar performancën e tij si përmbledhje të momenteve më të mira të karrierës së tij.

“Ishte një rikthim në kujtesën e 30 vjetëve të tij, jo vetëm si prezantues i ‘late night’, por edhe si drejtues i ‘Emmy Awards’ dhe projekteve të tjera që ka bërë. Ishte gati si një lloj përmbledhje e hiteve më të mira të Conanit” ka thënë ai.

Mills gjithashtu ka thënë se komediani solli pak nga gjithçka.

“Një monolog tepër argëtues, që përmbante elementët që e bëjnë Conanin të veçantë – marrëzi, vetëironi dhe shaka që në fillim janë qesharake, por pas 20 minutash kupton se janë akoma më të thella dhe më qesharake”, ka thënë tutje Mills.

Përvoja dhe ndikimi i O’Brienit bënë që edhe John Lithgow të përfshihej në shfaqje. Gjatë ceremonisë, mimika serioze e aktorit veteran u përdor si “kërcënim” për të gjithë ata që do të tejkalonin kohën e fjalimit të tyre.

“Kjo është bukuria e të pasurit Conan, i cili ka 30 vjet marrëdhënie të thella me yjet e Hollywoodit”, ka shpjeguar Mills.

Ai tutje ka thënë se ishte e mahnitshme të shihje se si prezantuesit në prapaskenë reaguan kur e panë Conanin.

“Të gjithë filluan të kujtonin momentet kur ishin ulur përballë tij në emisionet e tij të mëparshme. Ai është universalisht i dashur, shumë i ngjashëm me Jimmy Kimmelin. Kjo e bëri shumë më të lehtë për të përfshirë edhe dikë si John Lithgow”, ka thënë Mills.