Showbiz

Eddie Murphy thotë se nuk e ka moshën për të luajtur në filma aksion

Eddie Murphy

Ylli i filmave Eddie Murhpy e pranon se nuk është i shkathët siç ishte dikur.  Sipas tij, "më mirë do të mos bëj asnjë marifet" në moshën 63-vjeçare.

Aktori i Hollywoodit ka ripërsëritur rolin e Axel Foley, polic nga Michigani në  filmin “Beverly Hills Cop: Axel F”. 

Eddie – i cili ka luajtur në filmin origjinal “Beverly Hills Cop” në vitin 1984 – ka thënë për “Today”: “E kam luajtur rolin në ‘Beverly Hills Cop’ kur isha 21-vjeçar, tani jam 63”.

“Tash, nuk do të bëja ndonjë marifet. Ishim duke incizuar diçka dhe regjisori më tha, ‘Dua që ti të dalësh nga ky vend dhe të zbresësh këto shkallë’. Pas xhirimit ai më tha, ‘A mund të zbresësh më shpejt? Më shpejt?’ Dhe unë i thashë ‘Jo!’”, ka thënë Murphy.

Eddie ka bërë shaka se në këtë pikë të karrierës së tij, ai nuk është aq i aftë dhe sypatrembur si dikur.
Ylli i filmave ka thënë: “Ju thashë, ‘Nuk do të luaj në filma aksion. Mos më thirrni përveç nëse më ofroni ndonjë rol që do i ofronit Morgan Freemanit’”.

Eddie ka shijuar sukses të madh gjatë karrierës së tij. Megjithatë, sa herë që udhëton, Eddie është akoma i njohur për rolin e tij si Axel.

Aktori – që gjithashtu ka shijuar sukses edhe si komedian – tha: “’Beverly Hills Cop’ ka qenë filmi i parë, në të cilin kam qenë aktori kryesor. Nëse udhëtoj, njerëzit më quajnë Axel Foley”.

“Axeli është burrë i gjithanshëm. Nuk është superhero ose superpolic, ai është burrë i gatshëm për t’u ballafaquar me të gjitha rastet. Mendoj se kjo është arsyeja pse njerëzve u pëlqen. Dhe mbi të gjitha, ai është qesharak”.