Këngëtari i njohur britanik Ed Sheeran ka thënë se projekti muzikor “Band Aid” nuk i ka kërkuar leje për ripërdorimin e vokalit të tij, në versionin e këngës “Do They Know It’s Christmas?”, për nder të 40-vjetorit të krijimit të këtij projekti muzikor, i cili ka për qëllim mbledhjen e ndihmave.
Në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ai ka shkruar se “me respekt, do ta refuzoja kërkesën”, duke cituar vargjet e reperit britaniko-ganez, Fuse OFG, i cili ka kritikuar ndihmën ndërkombëtare në Afrikë, ka shkruar BBC.
“Nuk më është kërkuar aprovimi për këngën e re ‘Band Aid 40’. Po të kisha mundësi, me respekt do ta refuzoja kërkesën për përdorim të vokali tim”, ka thënë Sheeran.
Në të kaluarën, Fuse ODG, pati thënë se ka refuzuar të marrë pjesën në krijimin e këngës bamirëse, 10 vjet më parë.
“Refuzova të marr pjesë në ‘Band Aid’ për shkak të iniciativave dëmtuese, si ajo që ndodhi në Afrikë. Ndërkohë që këto projekte mund të gjenerojnë simpati e donacione, në të njëjtën kohë ngurtësojnë rritjen ekonomike te Afrikës, turizmin dhe investimet, që i kushton kontinentit triliona si dhe i dëmton dinjitetin, krenarie e identitetin”, pati thënë ODG.
Kur ishte fëmijë e kur i pa videot e “Band Aid”, ai pati thënë se imazhet “ishin aq negative sa donte të shkëputej nga fakti se është afrikan sepse nuk kishte sens të krenarisë në të”.
Muzikanti, emri i vërtetë i të cilit është Nana Richard Abiona, pati thënë se pati kërkuar nga Bob Geldof t’i merrte parasysh shqetësimet, duke i thënë se kjo mënyrë e paraqitjes së Afrikës, është duke i bërë dëm turizmit dhe investimeve.
Sheeran, në këngën në fjalë, pati kënduar krah grupit të njohur Colplay, këngëtares Sinead O’Connor, Sam Smith, One Direction, e shqiptares me famë botërore, Rita Ora, në këngën “Band Aid 30” në vitin 2014.
Një miksim i ri i kësaj kënge, i cili do të lansohet javën e ardhshme, paraqet vokalin e Sheeranit si dhe atë të këngëtarit Sting, nga versioni origjinal i këngës me qëllime bamirëse, që u krijua në vitin 1984.
Javën e kaluar është bërë e ditur se Versioni i ri i këngës “Do They Know It’s Christmas?”, nga “Band Aid”, do të publikohet javën e ardhshme.
Ky version, do të kombinojë versionet e kaluara të projektit, pjesë që janë incizuar ndër vite, me pjesëmarrës si Boy George, Harry Syles, George Michael, Sam Smith, Bono, Robbie Williamas, Rita Ora e Paul McCartney.
Miksi i ri do të transmetohet në radiostacionin britanik në mëngjesin e 25 nëntorit, kur është përvjetori i 40-të i krijimit të këngës bamirëse.
Ky projekt muzikor është krijuar në mënyrë që të trajtonte urinë që kishte kapluar Etiopinë në vitin 1984.
Ndër vite, teksti i këngës është kritikuar për paraqitje të Afrikës si tokë e pavlerë që kishte nevojë të shpëtohej nga intervenimi i vendeve perëndimore.
Në anën tjetër, Bob Geldof, i cili është organizator dhe bashkëshkrues i këngës në fjalë, e ka mbrojtur këtë projekt përmes një përgjigjeje dhënë kundër një artikulli që është publikuar nga “The Conversation”.
“Kjo këngë e vogël pop ka mbajtur gjallë qindra miliona njerëz. Në fakt, vetëm sot ‘Band Aid’, ka dhënë qindra miliona funte britanike, për t’i ndihmuar ata që po iknin nga therjet masive në Sudani dhe dhuroi mjaftueshëm para për t’i ushqyer 8 mijë fëmijë në zonat e ndjeshme të Etiopisë, të ngjashme me ato që kishin problem në vitin 1984”, ka thënë Geldof.