Showbiz

Shefi i Netflixit thotë se nënvlerësohet ndikimi i dukeshës së Sussexit në kulturë

Meghan Markle

Meghan Markle

Foto: Associated Press

Ted Sarandos, drejtor ekzekutiv (CEO) i platformës transmetuese Netflix, ka lavdëruar dukeshën e Sussexit, Meghan Markle, duke thënë se ndikimi i saj në kulturë është shpeshherë i nënvlerësuar, ka raportuar Variety.

43-vjeçarja ka qenë protagoniste në serialet dokumentare të Netflixit “Harry and Meghan” dhe “With Love, Meghan”, të cilat kanë ngjallur shumë kureshtje në publik.

“Mendoj se Meghan është e nënvlerësuar për ndikimin që ka në kulturë. Kur publikuam trailerin e dokumentarit ‘Harry and Meghan’, çdo detaj i tij u analizua për ditë të tëra nga mediat. Këpucët që kishte veshur ajo u shitën menjëherë në mbarë botën, dhe batanija  e brendit ‘Hermes’ që ishte në sfond u shit kudo. Njerëzit janë të magjepsur nga Meghan Markle. Ajo dhe Harry shpeshherë nënvlerësohen pa të drejtë”, ka thënë Sarandos. 

Para se të martohej me Princin Harry në vitin 2018, Markle luajti rolin e Rachel Zane për shtatë sezone në serialin dramë “Suits”, i cili së fundmi ka tërhequr një valë të re admiruesish.

“Nuk më habit fakti që njerëzit po e zbulojnë përsëri ‘Suitsin’, sepse ishte serial i shkruar dhe prodhuar shumë mirë”, pati thënë dukesha në një intervistë për Poeple.

Markle ka treguar se ka ruajtur një kujtim të veçantë nga koha e saj në serial.

“E kam ende fundin nga episodi i parë! Është e vetmja gjë që mbajta”, pati treguar ajo.

Në muajin shkurt u shfaq premiera e një seriali të ri, i cili ishte version më i zgjeruar i projektit filmik në fjalë, me titull “Suits L.A.”, të cilin Markle e pati mbështetur me entuziazëm.

“Më pëlqen që i është dhënë një frymë e re”, pati thënë ajo, e cila në vitin 2017 pati treguar se do të tërhiqet nga aktrimi, pas fejesës me princin Harry.