Showbiz

Dua Lipa thotë se e kritikon Izraelin “për të mirën e përgjithshme”

Dua Lipa

Foto: Associated Press

Ylli botëror i muzikës, Dua Lipa, ka thënë se i paramendon kritikat që mund t’i marrë pas deklaratave të fundit duke e quajtur gjenocid operacionin ushtarak të Izraelit në Gaza.

Në një intervistë për “Radio Times”, 28-vjeçarja me prejardhje nga Kosova ka thënë se vazhdimisht e rimendon deklaratën politike para se ta japë, por ka shtuar se në këtë rast kjo kishte të bënte me “të mirën e përgjithshme” dhe ia vlen rrezikun.

Fituesja e çmimit Grammy muajin e shkuar ripublikoi një grafikë të grupit “Artists4Ceasefire” (Artistët për armëpushim), krahas hashtagut #AllEyesOnRafah (Të gjithë sytë kah Rafah), që u bë trend pas bombardimeve të fundit të Izraelit në Gazë. 

“Djegia e fëmijëve për së gjalli nuk mund të justifikohet kurrë. E gjithë bota po mobilizohet për ta ndalë gjenocidin izraelit. Ju lutem tregoni solidaritet me Gazën”, shkroi ajo në postimin për 88 milionë ndjekësit në Instagram.

Së fundmi, Dua u përmend në një këngë rep në Izrael që bënte thirrje për dhunë ndaj figurave publike që kanë shprehur pikëpamje pro-palestineze.

“Kur flas për gjëra që janë politike, gjithmonë e rimendoj dy-tre herë: ‘Në rregull, kjo është për diçka që është më e madhe se unë, është e domosdoshme – dhe kjo është e vetmja arsye përse e postoj’. Ky është lehtësimi im i vetëm përse e bëj. Gjithmonë do të ketë përplasje dhe kundërshti nga të tjerët, andaj është vendim i madh. E balancoj sepse në fund të fundit e ndiej se është për të mirën e përgjithshme, andaj e pranoj (goditjen)”, ka thënë ajo për “Radio Times”.

Lipa ka sugjeruar se rrënjët e saj nga Kosova kanë ndikuar që të ketë reagime politike.

“Të folurit është e natyrshme për mua, duke marrë për bazë prejardhjen dhe trashëgiminë time, dhe se vetë ekzistenca ime është disi politike – nuk është diçka e jashtëzakonshme për mua”, ka thënë ajo.
Në të njëjtën intervistë, Lipa ka treguar se i mbështet laburistët dhe ka sugjeruar se do të votojë për këtë parti në zgjedhjet e ardhshme në Britani.

Lipa do të jetë ylli kryesor i festivalit më të madh të muzikës në botë, Glastonbury në fund të muajit në Angli.